E martë, 05 Maj 2026
Lajme

Haxhiu priti nxënësit që përfaqësuan Kosovën në EMO 2026 – ndau mirënjohje

Image

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, priti sot në takim ekipin e Kosovës në matematikë, pas pjesëmarrjes në Olimpiadën Evropiane të Matematikës, EMO 2026.

Ekipi u udhëhoq nga prof. asoc. dr. Valdete Rexhebeqaj-Hamiti, kryetare e Shoqatës së Matematikanëve të Kosovës, ndërsa Kosova u përfaqësua nga nxënësit Ajan Hajrullahu, Lyron Celina, Vesa Xhymshiti, Ari Juniku, Shpendi Deva dhe Lekë Nikçi.

Në këtë garë, Ajan Hajrullahu fitoi medaljen e bronztë, ndërsa Lyron Celina dhe Vesa Xhymshiti fituan mirënjohje nderi.

U.D. Presidentja Haxhiu i përgëzoi nxënësit për rezultatin e arritur dhe për përfaqësimin e Kosovës në një garë të rëndësishme ndërkombëtare të matematikës.

“Pjesëmarrja në gara të këtij niveli është sukses në vete. Kur kësaj i shtohen edhe rezultatet e arritura, medalja e bronztë e Ajanit dhe mirënjohjet e nderit për Lyronin dhe Vesën, atëherë ky sukses merr kuptim edhe më të madh. Ai flet për përkushtimin, disiplinën dhe potencialin e të rinjve tanë në matematikë. Suksesi i tyre është edhe sukses i Republikës së Kosovës”, tha U.D. Presidentja Haxhiu. Me këtë rast, ajo ndau mirënjohje për gjashtë nxënësit përfaqësues të Kosovës dhe për Shoqatën e Matematikanëve të Kosovës.

Gjatë takimit u diskutua edhe për sfidat me të cilat përballet Shoqata e Matematikanëve të Kosovës në përgatitjen e nxënësve për gara ndërkombëtare. U.D. Presidentja Haxhiu shprehu gatishmërinë që Presidenca të ndihmojë, qoftë drejtpërdrejt, qoftë duke shërbyer si urë lidhëse me institucionet përkatëse.

Po ashtu, në takim u theksua se Kosova në vitin 2027 do të jetë organizatore e Olimpiadës Evropiane të Matematikës, ku Prishtina do të mirëpresë të rinj të talentuar nga vende të ndryshme të Evropës.

U.D. Presidentja Haxhiu theksoi se mbështetja për nxënësit e talentuar është investim në dije, shkencë dhe në të ardhmen e Kosovës. /Telegrafi/

InfoShqip