E martë, 05 Maj 2026
Lajme

IQMT zbulon parregullsi në njehësorët elektrikë, nisin gjobat ndaj KEDS pas ankesave të qytetarëve

Nje

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka vijuar gjatë së martës aksionin për verifikimin e njehësorëve elektrikë, pas rritjes së ankesave nga konsumatorët, ka njoftuar Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit.

Kontrolli është zhvilluar në bashkëpunim me një komision të përkohshëm të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, duke përfshirë rajonin e Prishtinës dhe Ferizajt.

Gjatë inspektimeve janë evidentuar disa raste të devijimeve në orë dhe datë në njehësorë, të cilët më pas janë tërhequr nga përdorimi dhe janë dërguar për ekzaminim në laboratorët e Agjencisë së Metrologjisë së Kosovës.

Në Kosovë ishte raportuar për njehesorët elektrikë të cilët nuk kanë kryer funksionin e tyre si duhet. /Gazeta Express

Komunikata e plotë:

IQMT vijon aksionin për verifikimin e njehësorëve elektrikë pas ankesave të konsumatorëve

Gjatë ditës së sotme, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT), në bashkëpunim me Komisionin Ad Hoc të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), ka vijuar aksionin për verifikimin e njehësorëve elektrikë për konsumatorët të cilët kanë paraqitur ankesa.

Gjatë këtij aksioni janë identifikuar raste të devijimeve në orë dhe datë në disa njehësorë elektrikë. Njehësorët ku janë konstatuar këto parregullsi janë tërhequr dhe janë dërguar për ekzaminim të mëtejshëm në laboratorët e Agjencisë së Metrologjisë së Kosovës.

Ndërkohë, për njehësorët me afat të skaduar të vlefshmërisë, janë iniciuar dy procedura të gjobitjes ndaj operatorit KEDS, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Aksioni i sotëm është zhvilluar në rajonin e Prishtinës dhe Ferizajt, ndërsa në ditët në vijim, bazuar në planin operacional dhe në ankesat e konsumatorëve, verifikime të tilla do të shtrihen në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

MINTI fton të gjithë qytetarët që të raportojnë çdo parregullsi të mundshme lidhur me njehësorët elektrikë, përmes:

* numrit të telefonit: +383 (0) 46 311-000 (Viber)

* adresës elektronike: konsumatori@rks-gov.net

The post IQMT zbulon parregullsi në njehësorët elektrikë, nisin gjobat ndaj KEDS pas ankesave të qytetarëve appeared first on Gazeta Express.

InfoShqip