Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka komentuar zhvillimet e fundit në Komunën e Prishtinë, pas marrëveshjes mes Partisë Demokratike të Kosovës dhe kryetarit të komunës, Përparim Rama, për ndarjen e drejtoreve dhe bashkëqeverisjen në kryeqytet.
Abdixhiku tha se kryetarët e komunave kanë të drejtë të bëjnë marrëveshje për shumicën që ata e konsiderojnë të nevojshme, por theksoi se LDK nuk ka arritur asnjë marrëveshje me PDK-në në nivel partie.
“Kryetarët e komunave kanë të drejtë të bëjnë marrëveshje për shumicën që e konsiderojnë, por nuk mund të them që kemi marrëveshje me PDK-në”, u shpreh ai.
Ai shtoi se ka pasur komunikim edhe me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, i cili sipas tij ka konfirmuar se nuk ekziston marrëveshje politike mes dy partive në nivel qendror.
“LDK-ja nuk ka bërë marrëveshje me PDK-në, kam komunikim edhe me Bedri Hamzën i cili ka thënë se nuk kemi marrëveshje”, tha Abdixhiku.
Sipas tij, çdo marrëveshje eventuale në Prishtinë i takon kryetarit të komunës dhe partive lokale, dhe nuk përfaqëson qëndrimin zyrtar të LDK-së në nivel qendror.
“Ato janë marrëveshje të kryetarit të komunës me partitë tjera politike”, u shpreh ai.
Abdixhiku theksoi gjithashtu se Përparim Rama ka qenë kandidat i pavarur brenda listës së LDK-së dhe se partia nuk po merret me çështje lokale në këtë fazë.
“LDK nuk merret me çështje lokale në këtë fazë, fokusin e kemi te një listë fituese për zgjedhjet e 7 qershorit”, deklaroi ai.
Sipas tij, prioritet mbetet ndërtimi i një liste të përbashkët dhe përgatitja për zgjedhjet e ardhshme. /Telegrafi/
