
Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Evropian ka miratuar me 58 vota pro, 7 kundër dhe 7 abstenim rezolutën për Shqipërinë.
Gjatë mbledhjes, raportuesi për Shqipërinë, Andreas Schieder, vlerësoi progresin e vendit tonë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke theksuar rëndësinë e reformave të mëtejshme për të garantuar një anëtarësim të qëndrueshëm dhe të suksesshëm.
Gledis Gjipali, drejtor i Lëvizjes Europiane në Shqipëri, në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në televizionin kombëtar Vizion Plus me moderator Aleksandër Furxhi, tha se bëhet fjalë për një raport të përvitshëm që i përgjigjet atyre të Komisionit Europian dhe që këtë herë përfshin zhvillimet e dy viteve të fundit (2023–2024).
Sipas tij, raporti në përgjithësi vlerësohet pozitiv, pavarësisht disa nuancave dhe shqetësimeve që lidhen kryesisht me çështjet mjedisore dhe sociale.
Gjipali theksoi se mesazhi kryesor i dokumentit është nevoja për përshpejtimin e reformave në Shqipëri, një kërkesë që është përsëritur edhe në raportet e mëparshme të BE-së.
Ai u shpreh se Shqipëria ka ecur me ritme të shpejta në hapjen e kapitujve dhe synon mbylljen e tyre deri në vitin 2027.
INTERVISTA E PLOTË:
Çfarë shënon ky raport, miratimi i tij dhe cila është rëndësia në fakt në tërësinë e procesit të negociatave të Shqipërisë në Bashkimin Europian?
Gledis Gjipali: Ky është një raport i përvitshëm i Parlamentit Europian i cili i përgjigjet raporteve të Komisionit Europian, pra bën një reflektim të tij ky institucion i rëndësishëm i Bashkimit Europian. Kësaj radhe raporti përfshinte të dy raportet e Komisionit Europian 2023-2024. Ka pasur një vonesë për shkak të zgjedhjeve të vitit të kaluar në Parlamentin Europian dhe ripërmbledh ato piketa kryesore të zhvillimeve në Shqipëri gjatë dy viteve të fundit.
U vë re se mori lexime të ndryshme nga opozita dhe nga qeveria. Çfarë duhet të kuptojë më thjesht një njeri që nuk është familjar me terminologjinë e këtyre dokumenteve?
Gledis Gjipali: Pavarësisht nuancave, duhet thënë që patjetër është një raport pozitiv në vazhdimësi të raporteve të viteve të fundit. Shpreh shqetësime për çështje të cilat Komisioni Europian nuk është shprehur mjaftueshëm, si çështjet mjedisore dhe sociale. Është një raport pozitiv. Ajo që është me rëndësi është momenti ku theksohet që Shqipëria duhet të rrisë shpejtësinë e reformave. Kjo është shumë e rëndësishme.Nuk është hera e parë që thuhet kjo. Komisioni Europian e ka thënë edhe në raportin e 2025, por është shumë e rëndësishmë përkundrejt atij objektivi që Shqipëria ka.
Cila është e vërteta rreth polemikave lidhur me raportin IBAR përpara se të fillojë mbyllja e negociatave?
Gledis Gjipali: Shqipëria ka ecur shumë shpejt me hapjen e kapitujve dhe pritet që edhe ky raport të miratohet shpejt për të arritur targetin e vitit 2027 për mbylljen e kapitujve. Pa miratuar këtë raport nuk mund të mbyllim dot kapituj të tjerë. Ne nuk jemi në kushtet e Malit të Zi, të cilit iu deshën 10 vite. Jemi në një proces shumë më të shpejtë. Deri në qershor jemi ende në kohë për të ruajtur atë target, nëse shkon përtej, procesi komplikohet.
