E martë, 05 Maj 2026
Lajme

“Sistem bashkëpunimi me ILD dhe KLGJ”/ Endri Shabani: Zvarritjet e proceseve gjyqësore mbeten ende problem

Avokati i Popullit Endri Shabani në një intervistë në emisionin “Real Story” në ABC News u shpreh se problem sot mbeten zvarritjet e proceseve gjyqësore.

Shabani theksoi se përveç evidentimit të problematikave, fokusi është edhe në gjetjen e zgjidhjeve konkrete për qytetarët që përballen me vonesa në drejtësi.

Sipas tij, në disa raste ka edhe abuzime të drejtpërdrejta që ndikojnë në mosdhënien në kohë të të drejtave.

Po ashtu, Avokati i Popullit bëri të ditur se institucioni që drejton po bashkëpunon me ILD dhe KLGJ për të identifikuar gjykatat dhe gjyqtarët problematikë.

“Fokusi sot nuk është vetëm për të evidentuar problematikën, por edhe për të gjetur një zgjidhje. Nëse qytetarit nuk i ofrohet një e drejtë, duhet gjetur përse ndodh kjo? Dhe në disa raste është edhe abuzim konkret…Një urdhër mbrojtje, apo një grua që është rrezik për jetën që mund ta vrasë ish-partneri. Dhe ky urdhër mbrojtje shkon edhe 4 muaj. Në një pjesë të mirë të rasteve është ngarkesë e jashtëzakonshme të proceseve gjyqësore. Në po bashkëpunojmë me ILD e KLGJ për të evidentuar se kush janë gjykatat dhe gjyqtarët problematikë. Po e hetojmë këtë. Është objektiv që e kam prioritar sepse pjesë e madhe e ankesave janë për zvarritje të proceseve gjyqësore”, tha ai.

InfoShqip