Gjykata Kushtetuese ka vendosur të dërgojë për shqyrtim kërkesën e Partisë Demokratike lidhur me mënyrën e zgjedhjes së Avokatit të Popullit, Endri Shabani.
I ftuar në “Real Story”, Shabani u shpreh se kjo çështje nuk e shqetëson, pasi, sipas tij, bëhet fjalë për një marrëdhënie institucionale mes Kuvendit dhe Gjykatës Kushtetuese. Ai theksoi se mbetet i përqendruar te detyra e tij dhe nuk është pjesë e këtij procesi.
Duke komentuar debatet e krijuara, Shabani tha se nuk e kupton pse zgjedhja e tij ka prodhuar kaq shumë diskutime dhe tensione.
“Ka pasur disa padi, njëra pas tjetrës në Gjykatën Kushtetuese për zgjedhjen time. Nuk e di pse kjo çështje prodhoi kaq shumë ndryshim mendimesh apo tension, por kjo është një marrëdhënie mes Kuvendit dhe Gjykatës Kushtetuese. Unë nuk jam në këtë proces. Jam i fokusuar te puna ime. Gjykata Kushtetuese do të shqyrtojë pretendimet e të dyja palëve dhe unë nuk kam asnjë dyshim apo shqetësim për punën që ajo bën,” u shpreh ai.
