TIRANË- Avokati i Popullit, Endri Shabani, i ftuar në “Real Story”, ka ngritur shqetësimin për kushtet në burgjet shqiptare, duke theksuar se të gjithë të dënuarit duhet të trajtohen me dinjitet dhe standarde të barabarta.
Ai solli si shembull burgun e Durrësit, ku sipas tij evidentohet një trajtim i pabarabartë mes të burgosurve. Shabani u shpreh se në katin e parë kushtet janë mjaft të rënda, me përmbytje dhe mungesë standardesh, ndërsa aty qëndrojnë kryesisht të moshuar, persona me probleme të shëndetit mendor dhe individë në vështirësi ekonomike. Ndërsa në katin e dytë, ku ndodhen të ashtuquajturit të burgosur “VIP”, kushtet tha Shabani janë më të mira.
Sipas tij, nuk është problem që një kategori të ketë kushte më të mira, por shqetësuese mbetet fakti që pjesa tjetër e të burgosurve nuk trajtohet me të njëjtat standarde.
Duke folur për politikat ndëshkuese, ai u shpreh se për veprat e korrupsionit dhe ato që lidhen me përfitime pasurore, më efektiv se dënimi me burg është konfiskimi i pasurive të paligjshme dhe vendosja e gjobave.
Sipas tij, kjo qasje jo vetëm që i kthen shoqërisë pasuritë e përfituara në mënyrë të paligjshme, por edhe dekurajon korrupsionin, pasi individët rrezikojnë të humbasin gjithçka që kanë fituar në mënyrë të padrejtë.
“Unë besoj se të gjithë të burgosurit duhet të kenë kushte dinjitoze në burgje. Rasti i burgut të Durrësit është tipik: edhe kur është i njëjti burg, trajtimi nuk është i njëjtë.
Aty ka dy kate. Në katin e parë kushtet janë mizerabël. Kemi inspektuar dhe përmbytet; aty janë të burgosur të moshuar, persona me probleme të shëndetit mendor dhe të burgosur me kushte shumë të vështira ekonomike. Kushtet janë shumë të këqija. Ndërsa në katin e dytë janë ata që ju i quani të burgosur ‘VIP’. Ata janë në kushte shumë më të mira se ata të katit të parë.
Nuk po them që këta të katit të dytë të mos i kenë kushtet që kanë, por jam i shqetësuar që edhe kati i parë të ketë të njëjtat standarde. Thelbi duhet të jetë rehabilitimi. Për vepra si korrupsioni apo ato që synojnë pasurinë, unë mendoj se më efektiv se burgu është konfiskimi i pasurive të paligjshme.
Edhe publiku përfiton, sepse një pjesë e parave të përfituara në mënyrë të paligjshme i kthehet shoqërisë dhe dekurajon personin që korruptohet për t’u pasuruar, pasi në fund të ditës do t’i humbasë të gjitha.
Konfiskimi i pasurive të vjedhura dhe dënimet financiare me gjobë janë shumë më efektive sesa burgosja për ata që qëllimin kryesor kanë pasur pasurimin përmes pushtetit publik”, theksoi Avokati i Popullit/abcnews.al
