E mërkurë, 06 Maj 2026
Lajme

Antibiotikët kundër akneve: Kujt i ndihmojnë dhe sa gjatë mund të përdoren

Image

Antibiotikët mund të jenë të dobishëm te disa forma të moderuara dhe të rënda të akneve inflamatore, por dermatologët këshillojnë që të përdoren për kohë të kufizuar dhe zakonisht në kombinim me trajtime të tjera

Antibiotikët ndonjëherë mund të shkatërrojnë bakteret e dëmshme dhe të ndihmojnë te disa forma të moderuara deri të rënda të akneve. Megjithatë, dermatologët rekomandojnë që ato të përdoren për një periudhë të shkurtër dhe krahas terapive të tjera, me qëllim uljen e inflamacionit.

Të gjithë kemi baktere që jetojnë në lëkurën tonë. Por, te personat me akne, këto baktere nganjëherë mund të shkaktojnë inflamacion ose përkeqësime, duke i bërë problemet me lëkurën edhe më të theksuara.

A mund të ndihmojnë antibiotikët?

Edhe pse antibiotikët mund të shkatërrojnë disa baktere të dëmshme dhe të ndihmojnë te forma të caktuara të akneve, madje edhe te rastet më të rënda, ata duhet të përdoren për kohë të shkurtër, përveç nëse mjeku e ka këshilluar ndryshe.

Dermatologu Dr. Jonathan Braue nga Cleveland Clinic shpjegon se si mund të ndihmojnë antibiotikët dhe në cilat raste zakonisht rekomandohet përdorimi i tyre.

Antibiotikët janë më të dobishëm te aknet inflamatore, të moderuara deri të rënda, që prekin shtresat më të thella të lëkurës. Në këto raste, ata mund të ndihmojnë në uljen e inflamacionit, sidomos kur trajtimet e tjera nuk japin efektin e dëshiruar.

Po ashtu, antibiotikët mund të ndihmojnë në pengimin e zhvillimit dhe përhapjes së bakterit Propionibacterium acnes në lëkurë, gjë që ndihmon në zvogëlimin e përkeqësimit të inflamacionit, transmeton Telegrafi.

Aknet inflamatore shfaqen më thellë në lëkurë se llojet e tjera të akneve dhe përfshijnë:

  • puçrra
  • pustula
  • noduse
  • ciste

“Rritja e numrit të baktereve shkakton inflamacion, i cili mund të bëjë që aknet të depërtojnë më thellë në lëkurë dhe të shndërrohen në noduse e ciste më të mëdha. Atëherë ato bëhen më të vështira për t’u trajtuar”, shpjegon Dr. Braue.

Image

Antibiotikët oralë dhe lokalë

Nëse mjeku vlerëson se është koha të provohen antibiotikët, ekzistojnë dy mënyra kryesore të përdorimit të tyre.

Antibiotikët lokalë, si erythromycin, vijnë në formë xheli, losioni ose pecetash të posaçme. Ata aplikohen drejtpërdrejt në zonën e prekur të lëkurës, për të ndihmuar në kontrollimin e përhapjes së baktereve dhe uljen e inflamacionit.

Antibiotikët oralë, si doxycycline, merren në formë tabletash ose lëngu. Ata kanë veprim më të gjerë në organizëm dhe mund të ndikojnë në gjithë trupin, prandaj zakonisht rezervohen për raste më të rënda të akneve inflamatore.

Efektet anësore dhe kufizimet e përdorimit të antibiotikëve për akne

Sa më gjatë të përdoren antibiotikët, aq më e madhe është mundësia që bakteret të bëhen rezistente ndaj tyre. Kur kjo ndodh, infeksionet bakteriale bëhen më të vështira për t’u trajtuar.

“Sot mbizotëron qëndrimi se antibiotikët oralë nuk duhet të merren më gjatë se dy ose tre muaj radhazi. Në përgjithësi, antibiotikët lokalë mund të përdoren për një periudhë më të gjatë”, kujton Dr. Braue.

Përveç kësaj, trajtimi i akneve vetëm me antibiotikë është si të shkulësh barërat e këqija pa u kujdesur për tokën. Mund ta përmirësojë pamjen për një kohë, por jo gjithmonë e zgjidh atë që ndodh nën sipërfaqen e lëkurës.

Kjo ndodh sepse aknet janë gjendje komplekse dhe mund të kenë disa shkaktarë. Ato mund të vazhdojnë të shfaqen nëse nuk trajtohen faktorët bazë, si:

  • inflamacioni
  • poret e bllokuara
  • çrregullimi hormonal
  • prodhimi i tepërt i sebumit, pra yndyrës së lëkurës

“Nëse i përdorni antibiotikët sipas udhëzimit, ata do të ndihmojnë në kontrollimin e zhvillimit të baktereve. Por, nëse nuk i trajtojmë edhe faktorët e tjerë, nuk do të arrijmë gjithmonë t’i trajtojmë me sukses aknet”, thekson Dr. Braue. /Telegrafi/

InfoShqip