E mërkurë, 06 Maj 2026
Lajme

Studimi zbulon: Punët e shtëpisë mund të ndikojnë edhe në jetën intime të çiftit

Image

Një studim i ri sugjeron se çiftet shpesh nuk i lodhin vetëm krizat e mëdha, por edhe detyrimet e vogla të përditshme, të cilat mund ta dëmtojnë afërsinë romantike

Nëse keni dëgjuar ndonjëherë thënien se nuk ka pamje më tërheqëse sesa partneri që, pa ia kërkuar askush, merret me punët e shtëpisë, shkenca tani i jep një konfirmim interesant kësaj shakaje të përditshme.

Studiues të psikologjisë nga University of Texas kanë lidhur ndarjen e detyrimeve të përditshme me një jetë intime më cilësore dhe më të kënaqshme te çiftet. Me fjalë të tjera, larja e enëve, palosja e rrobave ose marrja përsipër e një pjese të detyrave rutinë ndoshta nuk tingëllojnë romantike, por në jetën reale mund të kenë rol shumë të rëndësishëm, shkruan The Healthy.

Goditjet e mëdha të jetës, si humbja e punës, sëmundja, vdekja në familje ose problemet me fëmijët, në shikim të parë duken si testet më të vështira për një lidhje. Por një studim i ri sugjeron se çiftet shumë shpesh nuk i lodhin vetëm krizat e mëdha, por edhe gjërat e vogla të përditshme.

Pikërisht këto strese të vogla, të përsëritura, mund të bëhen një nga kundërshtarët më të vazhdueshëm të një marrëdhënieje romantike të qëndrueshme dhe të kënaqshme.

Studimi i University of Texas at Austin, i publikuar më 25 mars 2024 në revistën Personality and Social Psychology Bulletin, u mor me mënyrën se si stresi ndikon në intimitetin e çifteve, jo vetëm atë seksual, por edhe atë që shfaqet përmes prekjeve, afërsisë dhe butësisë fizike, përcjell Telegrafi.

Image

Në hulumtim morën pjesë 144 çifte heteroseksuale, të sapomartuara dhe pa fëmijë. Tetëmbëdhjetë dhe tridhjetë muaj pas martesës, pjesëmarrësit plotësuan çdo ditë, për dy javë rresht, një pyetësor për nivelin e stresit dhe momentet e intimitetit.

Rezultatet nuk i befasuan plotësisht studiuesit, por theksuan një mesazh të rëndësishëm. Doli se bezdisjet e përditshme dhe streset e vogla, brenda së njëjtës ditë, parashikonin sjelljen seksuale të çifteve më fuqishëm sesa burimet më serioze dhe më afatgjata të stresit.

Sa më i lartë të ishte stresi, aq më pak kishte seks, por edhe më pak butësi fizike mes partnerëve. Interesante është se problemi nuk shfaqej vetëm te nivelet shumë të larta të stresit. Studiuesit vunë re se vështirësitë në intimitet paraqiteshin edhe te nivelet e ulëta deri mesatare të presionit të përditshëm.

Me fjalë të tjera, afërsinë nuk e zvogëlonin aq shumë katastrofat e mëdha jetësore, sa detyrimet e zakonshme, të mërzitshme dhe vazhdimisht të pranishme të përditshmërisë.

Shpjegimi është mjaft i thjeshtë. Pas një dite të lodhshme, njerëzit shpesh kanë nevojë për kohë për t’u rikuperuar. Në vend që të lidhen emocionalisht me partnerin, ata mund të tërhiqen emocionalisht dhe fizikisht. Kështu zvogëlohet hapësira për butësi, bisedë, prekje dhe për ato shkëmbime të vogla pozitive që e mbajnë gjallë lidhjen.

Sipas studiuesve, në rrethana të tilla gratë tërhiqeshin më shpesh nga lidhja intime. Kjo lidhet edhe me hulumtime të mëhershme, sipas të cilave gratë më rrallë pranojnë aktivitet seksual në ditët kur ndiejnë nivel më të lartë stresi.

Studiuesit sugjeruan gjithashtu se gratë shpesh kanë rolin e një lloj “ruajtëseje të portës” kur bëhet fjalë nëse do të ketë apo jo aktivitet seksual në një lidhje.

E gjithë kjo tingëllon si një histori po aq e vjetër sa edhe bashkëjetesa, por pikërisht për këtë arsye nuk është keq të dëgjohet përsëri.

Ndarja e punëve të shtëpisë nuk është vetëm çështje e një shtëpie të rregullt, por edhe e ndjenjës së mbështetjes, lehtësimit dhe bashkëpërgjegjësisë. Kur njëri partner mban vazhdimisht pjesën më të madhe të barrës së përditshme, është e vështirë të pritet që në fund të ditës t’i mbetet shumë energji për romantikë.

Mesazhi i studimit, pra, nuk është se jeta e dashurisë fillon vetëm kur rrobat janë palosur, enët janë larë dhe dyshemeja është pastruar. Mesazhi është se lidhja merr frymë më lehtë kur të dy partnerët marrin pjesë në përditshmëri, në vend që njëri prej tyre të mbajë i vetëm listën e padukshme të detyrimeve. /Telegrafi/

InfoShqip