E mërkurë, 06 Maj 2026
Lajme

Georgina Rodriguez mbajti një kurorë me vlerë shtatë milionë euro në Met Gala?

Image

Georgina Rodriguez u shfaq në Met Gala me një krijim të dizajnerit belg Ludovic de Saint Sernin, por detaji që mori më së shumti vëmendje ishte një rruzare që, sipas raportimeve, është ideuar nga vet ajo dhe vlera e së cilës vlerësohet deri në shtatë milionë euro. Për stilimin e saj të përgjithshëm, me të cilin mbërriti në Metropolitan Museum of Art në New York, ishte përgjegjëse stilistja Alba Melendo.

Në përputhje me temën e këtij viti, “Moda është art”, ekipi i Georgina Rodriguez tha se frymëzimi për pamjen e saj erdhi nga devocioni i saj ndaj Zonjës së Fatimës. Fustani, i punuar me dorë në Paris, kishte një siluetë të strukturuar, të ngjashme me korsenë, me detaje të pikturuara me dorë dhe dantellë në nuanca të kaltërta të çelëta. Pamja u plotësua me një vello, ndërsa brenda krijimit ishin fshehur edhe dy mesazhe të qëndisura me dorë në spanjisht: “Aty ku është ajo, shpirti gjen strehë” dhe “Dhe na çliro nga e keqja, amen”.

Dizajneri Ludovic de Saint Sernin i tha Vogue España se stili i Georginës e kishte impresionuar që në takimin e parë. “Tek ajo shoh një elegancë natyrale dhe një sensualitet të qetë”, u shpreh ai. Ai shtoi se puna në fustan ishte “një bashkëpunim i vërtetë”, një balancë mes vizionit të saj dhe të tij, dhe se ideja fillestare lindi pas bisedës për besimin e saj ndaj Virgjëreshës së Fatimës.

Megjithatë, vëmendja më e madhe shkoi te rruzarja luksoze, për të cilën thuhet se Georgina e ka dizajnuar vet. Ajo është punuar me ar të bardhë 18 karatësh dhe përmban pesë perla natyrale, 53 diamante në zinxhir dhe 11 diamante në kryq. Në medalion gjendet figura e Zonjës së Fatimës, si dhe janë gdhendur emrat e anëtarëve të familjes së saj. Vlera e kësaj pjese nuk është konfirmuar zyrtarisht, por disa media e vlerësojnë deri në shtatë milionë euro.

Stilimi u kompletua me këpucë platformë ngjyrë argjendi nga Le Silla dhe një set bizhuterish nga Chopard, ku theksohej edhe diamanti The Queen of Kalahari. Ekipi kreativ i Georginës theksoi se pamja e saj bashkon besimin personal me mjeshtërinë e nivelit më të lartë, duke i dhënë modës një kuptim si vizual, ashtu edhe simbolik. /Telegrafi/

InfoShqip