E mërkurë, 06 Maj 2026
Lajme

Enrique i thotë yjeve të PSG-së të frymëzohen për ndeshjen ndaj Bayernit nga Nadali dhe Federeri

GettyImages 2274663044.jpg

Trajneri i Paris Saint-Germainit, Luis Enrique, u ka kërkuar lojtarëve të tij të marrin frymëzim nga rivaliteti legjendar mes tenistëve Rafael Nadal dhe Roger Federer përpara gjysmëfinales vendimtare të Ligës së Kampionëve kundër Bayern Munichut.

Trajneri spanjoll theksoi se përballja me një skuadër kaq të fortë duhet t’i motivojë lojtarët të rrisin nivelin e tyre për të arritur një finale të dytë radhazi.

Kampionët në fuqi udhëtojnë drejt Bavarisë pas një ndeshjeje të parë spektakolare që përfundoi me fitoren 5-4 të parisienëve.

Ishte një duel kaotik ku, pavarësisht dominimit të Bayern Munichut në posedim dhe kërcënimit të vazhdueshëm në sulm, skuadra franceze doli fituese.

Dopieta nga Ousmane Dembélé dhe Khvicha Kvaratskhelia, së bashku me golin e João Neves, mposhtën realizimet e Harry Kane, Michael Olise, Dayot Upamecano dhe Luis Díaz.

Gjermanët krijuan gjashtë raste të pastra, por në fund u ndëshkuan në një ndeshje të çmendur 90-minutëshe.

Në vend që të ndihen të intimiduar nga atmosfera apo kundërshtari, ish-trajneri i Barcelonës dëshiron që skuadra e tij ta përqafojë këtë moment të madh.

Ai bëri një krahasim interesant me sportet individuale për të motivuar lojtarët.

“Nesër do të luajmë në Mynih për të qenë më konkurrues se kurrë. Rafa Nadal ka thënë një herë se në një moment të karrierës së tij, përballjet me Federer dhe Djokovic ishin një motivim për të. Kjo është ajo që duam edhe ne; kemi admirim për Bayern, por kjo është një motivim për të qenë më të mirë. Nesër do të kërkojmë të mposhtim një ekip që luan në mënyrë sensacionale”, tha ai.

Paris Saint-Germaini ka qenë i shkëlqyer në transfertë këtë sezon dhe trajneri nuk ka ndërmend të mbrohet thjesht për të ruajtur avantazhin minimal.

Ai pret një qasje të hapur dhe agresive.

“Kur luan ndeshje të tilla, kundër një kundërshtari që padyshim është më i forti që kemi përballur ndonjëherë, gjëja e parë që dua të theksoj është se kemi një avantazh prej një goli, por kjo nuk përfaqëson asgjë në futboll. Kemi përvojën e vitit të kaluar. Gjithmonë kërkojmë të jemi në lartësinë e pritshmërive të tifozëve tanë”, e mbylli ai./GazetaExpress/

The post Enrique i thotë yjeve të PSG-së të frymëzohen për ndeshjen ndaj Bayernit nga Nadali dhe Federeri appeared first on Gazeta Express.

InfoShqip