
Një ngjarje e rëndë ka tronditur Turqinë, pas një sulmi me armë zjarri ndaj Aydın Çavuşoğlu, vëllait të ish-ministrit të Jashtëm Mevlüt Çavuşoğlu.
Autoritetet turke kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje, e cila ka marrë vëmendje të gjerë në mediat vendase.
Sipas raportimeve të mediave turke, Aydın Çavuşoğlu, është qëlluar me armë zjarri brenda zyrës së tij, në kushte që ende nuk janë sqaruar plotësisht.
Si pasojë e plagëve të marra, ai është transportuar me urgjencë në spital, ku ndodhet në gjendje kritike për jetën dhe po trajtohet në repartin e kujdesit intensiv.
Ngjarja merr një dimension të shtuar politik për shkak të lidhjes familjare me Mevlüt Çavuşoğlu, i cili për vite me radhë ka qenë në krye të diplomacisë turke.
Burime bëjnë me dije se ish-ministri ndodhej jashtë vendit në momentin e sulmit dhe është informuar menjëherë, ndërsa pritet kthimi i tij i shpejtë në Turqi.
Mediat turke, raportojnë se plagosja është shkaktuar nga të shtënat me armë brenda ambientit të punës së viktimës.
Ndërkohë, autoritetet kanë nisur një hetim të gjerë për identifikimin e autorit dhe zbardhjen e motiveve të sulmit, ndërsa deri më tani nuk është bërë publik asnjë version zyrtar dhe të gjitha pistat mbeten të hapura.
The post Sulm me armë në Turqi, plagoset rëndë vëllai i ish-ministrit turk appeared first on Gazeta Express.
