Presidenti Donald Trump thotë se është “shumë herët” për të filluar të mendohet për bisedime paqeje ballë për ballë midis SHBA-së dhe Iranit, pavarësisht raporteve optimiste se të dy vendet po afronin drejt një kuadri të mundshëm për t’i dhënë fund konfliktit.
I pyetur nga The New York Post nëse ky medium duhet të përgatitet për të dërguar një gazetar në Pakistan për një raund të ri negociatash, Trump u përgjigj: “Nuk mendoj kështu”.
Sipas raportimeve, Teherani po shqyrton një propozim të SHBA-së dhe do t’ia përcjellë pikëpamjet e tij Pakistanit, raporton agjencia e lajmeve ISNA, duke cituar një zëdhënës të ministrisë së jashtme të Iranit.
Një raport në median amerikane më parë tha se Shtëpia e Bardhë beson se një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës është afër dhe se Uashingtoni pret përgjigje për disa pika kyçe nga Irani në 48 orët e ardhshme.
Ndërkohë në një postim, presidenti amerikan nuk i referohej drejtpërdrejt raporteve se SHBA-të dhe Irani janë afër një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës.
Por ai sugjeroi që konflikti do të përfundojë – dhe Ngushtica e Hormuzit do të rihapet – “duke supozuar që Irani pranon të japë atë për të cilën është rënë dakord, gjë që është, ndoshta, një supozim i madh”.
Ai shtoi: “Nëse ata nuk bien dakord, bombardimet fillojnë dhe, për fat të keq, do të jenë në një nivel dhe intensitet shumë më të lartë se sa ishte më parë”. /Telegrafi/
