Jose Mourinho po shfaqet si një nga emrat më të përfolur për stolin e Real Madridit, por rikthimi i mundshëm i portugezit në “Santiago Bernabeu” nuk duket aspak i thjeshtë.
Sipas raportimit të mediumit spanjoll Libertad Digital, Mourinho i ka paraqitur klubit disa kërkesa të qarta, që synojnë t’i japin atij kontroll të plotë sportiv dhe një ambient pune më të mbrojtur nga presioni i vazhdueshëm mediatik.
Kushti kryesor lidhet me kompetencat. Mourinho thuhet se kërkon një kontratë dyvjeçare dhe autoritet të plotë për të vendosur mbi transferimet, largimet dhe përzgjedhjen e lojtarëve që do të luajnë, pa ndërhyrje nga bordi drejtues.
Në praktikë, kjo do të nënkuptonte që trajneri të kishte fjalën vendimtare jo vetëm për afatin kalimtar, por edhe për menaxhimin e përditshëm të ekipit, një kërkesë që nuk përputhet gjithmonë me mënyrën se si Real Madridi i ka strukturuar vendimet gjatë viteve të fundit.
Një tjetër pikë e ndjeshme është marrëdhënia me mediat. Mediumi spanjoll shkruan se Mourinho synon ta reduktojë në maksimum ekspozimin publik, duke u paraqitur vetëm në konferencat e detyrueshme për shtyp dhe duke u përgjigjur vetëm pyetjeve që kanë lidhje me futbollin.
Madje, portugezi kërkon edhe një zëdhënës të posaçëm për çështjet jashtë fushe, për të shmangur konsumimin që sipas tij, e kishte ndjerë në aventurën e parë te Real Madridi.
Sa i përket stafit, Mourinho këmbëngul që të sjellë ekipin e tij të ngushtë të bashkëpunëtorëve. Ai, gjithmonë sipas burimit, është i hapur që ta përfshijë Alvaro Arbeloan në projekt, por nuk e konsideron të sigurt vazhdimin me Antonio Pintus, një figurë e rëndësishme në përgatitjen fizike të Realit në vitet e fundit.
Raporti shton se Florentino Perez nuk është plotësisht i bindur nga këto kushte, gjë që po e ngadalëson procesin dhe ka shkaktuar pakënaqësi në anën e Mourinhos dhe agjentit të tij, Jorge Mendes.
Nëse këto bisedime do të ecin përpara, do të varet nga aftësia e dy palëve për të gjetur kompromis: Real Madridi kërkon stabilitet dhe kontroll institucional, ndërsa Mourinho synon autonomi të plotë dhe mbrojtje nga “zjarri” i përditshëm jashtë fushe./Telegrafi/
