Nga kjo e merkure fillon regjistrimi i votuesve jashtë Kosovës për zgjedhjet e 7 qershorit.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi thekson se votuesit jashtë vendit do të kenë mundësi që të regjistrohen deri më 17 maj.
Zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës do të mbahen më 7 qershor, ndërkaq votimi në përfaqësi diplomatike organizohet më 6 qershor.
“Regjistrimi i votuesve jashtë Kosovës do të fillojë nga dita e sotme 6 maj dhe do të përfundojë më 17 maj. Pra, gjatë kësaj periudhe 12 ditore të gjithë shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit mund të aplikojnë për tu regjistruar si votues jashtë Kosovës, për të votuar qoftë fizikisht në njërën nga përfaqësitë diplomatike apo për të votuar përmes postës. Në momentin e regjistrimit, aplikuesi mund të përzgjedh individualisht mënyrën se si dëshiron të votojë në këtë proces zgjedhor.”
Përveç këtij procesi, Elezi ka njoftuar se nga sot votuesit kanë 12 ditë kohë për të ndërruar qendrën e tyre të votimit.
“Gjithashtu gjatë ditës së sotme, 6 maj, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mundësojë ndërrimin e qendrës së votimit për votuesit brenda një komune të caktuar. Pra, gjatë kësaj periudhe nga data 6 maj deri më datë 17 maj për 12 ditë me radhë të gjithë votuesit mund të konfirmojnë adresën e tyre se ku janë të caktuar të votojnë më 7 qershor. Por, nëse duan, është në vullnetin e tyre që ta ndryshojnë atë brenda komunës përkatëse ku ata janë caktuar si votues.
Po ashtu, votuesit mund të konfirmojnë apo kundërshtojnë listën votuese..”
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi thekson se votuesit mund të konfirmojnë ose kundërshtojnë listën votuese duke dërguar ankesa në kqz për pasaktësitë që vënë re.
Nga data 1 maj deri më 7 maj, subjektet politike kanë kohë që të njoftojnë KQZ-në për pjesëmarrje apo jo në procesin zgjedhor, apo të bëjnë deklarimin nëse do të garojnë si pjesë e ndonjë koalicioni.
