E mërkurë, 06 Maj 2026
Lajme

Përvjetori i lindjes së Skënderbeut/ Ceremoni në Lezhë e Krujë, ekspozohen vepra historike për heroin kombëtar

Përvjetori i lindjes i figurës historike të identitetit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skendërbeu, u nderua me ceremoni simbolike në Lezhë dhe në Krujë.

Memoriali i Skënderbeut u shndërrua në një pikë takimi mes brezash dhe trevash, ku përkujtimi i heroit kombëtar këtë 6 maj qe mendohet se është edhe ditëlindja e heroit, mori dimensione bashkuese.

Pjesë e aktivitetit u bënë edhe përfaqësues të organizatave nga Kosova, të cilët sollën në vëmendje figurën e Skënderbeut si simbol të qëndresës dhe unitetit.

Atmosfera përkujtimore u pasurua më tej nga një program artistik, ku tingujt e muzikës dhe interpretimet letrare i dhanë një dimension emocional kësaj dite.

Për herë të parë, në ditëlindjen e heroit tonë kombëtar, u ekspozuan në Krujë disa libra të ardhura nga muzeu i Tiranës.

Vepra origjinale që nga shekulli i XV si ajo e Marin Barletit apo vepra të tjera që i përkasin viteve 1473 janë tashmë të ekspozuara në muzeun e Krujës.

Kjo ditë solli në Krujë edhe një numër tejet të lartë të vizitorëve.

Përtej një date historike, këto ceremoni rikujtojnë se figura e Skënderbeut mbetet urë lidhëse mes shqiptarëve, një simbol që vazhdon të frymëzojë edhe sot ndjenjën e përkatësisë dhe krenarisë kombëtare.

InfoShqip