E mërkurë, 06 Maj 2026
Lajme

Zgjedhjet e 7 qershorit me Vjosa Osmanin në garë, kush hyn e kush bie tjetër nga listat e partive

21f69b41 368e 47ef 98fe 5732988dc89a

Partitë politike në Kosovë kanë hyrë në fazën përfundimtare të përgatitjeve për zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit, duke intensifikuar punët për hartimin e listave të kandidatëve të tyre për deputetë. Deri më 12 maj, subjektet politike duhet t’i dorëzojnë listat në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ndërsa paralajmërimet e shumicës prej tyre tregojnë sinjale se do të ketë kombinim të përvojës parlamentare e politike me prurje të reja.

Një gjë është e sigurt në Vetëvendosje – të gjithë deputetët e kaluar të kësaj partie do të jenë sërish në listën zgjedhore.

Ani se nuk përmendi konkretisht ndonjë prurje të re, ish shefja e grupit parlamentar të VV-së tha se të tillë do të ketë, ndërsa bëri me dije se do t’i kushtohet kujdes përfaqësimit gjinor, social dhe komunitar.

“Performanca e deputetëve aktualë vlerësohet siç e thashë. Kemi bërë një punë të mirë për një kohë kaq të shkurtër. Pjesa dërrmuese e deputetëve do të jenë të njëjtit, ndërkohë patjetër se do të ketë edhe emra të rinj. Do të jetë një listë përfaqësuese pasi e dini në secilën palë zgjedhje, Lëvizja i ka kushtuar kujdes përfaqësimit gjinor, kategorive të caktuara, grupeve të ndryshme sociale dhe përfaqësuesve të komuniteteve të ndryshme. Besoj se do të vazhdohet njëjtë edhe këto zgjedhje”, thekson ajo.

Në Lidhjen Demokratike të Kosovës, diskutimet për listën zgjedhore po shoqërohen me qëndrimin për të garuar vetëm me identitetin e qartë të kësaj partie, ani se në të mund të vijnë e të shkrihen edhe të tjerë. Anëtari i Kryesisë, Armend Zemaj, deklaron për KosovaPress se synimi është që LDK të hyjë në zgjedhje me logon e saj, ndërsa të tjerët që pritet të bashkohen më këtë subjekt, të bëhen pjesë e këtij projekti politik.

Zemaj thotë se në listën e LDK-së pritet të hyjë edhe ish-presidentja Vjosa Osmani, madje edhe t’i prijë kandidatëve për deputetë të kësaj partie.

Sipas tij, ish presidentes dhe bashkëpunëtorëve të saj do t’u takojnë 20 vende nga 110 sa ka krejt lista për deputetë e Lidhjes Demokratike.

“Pavarësisht atyre marrëveshjeve që quhen marrëveshje të koalicioneve, insistimi ynë është të garojmë me logon e LDK-së dhe të tjerët të bëhen pjesë e fitores ose ambicies sonë që t’i fitojmë zgjedhjet e 7 qershorit… Lista besoj është ashtu siç ka qenë ndër listat më të mira, por kësaj radhe mund të ketë rikthim të figurave të cilat për një moment kanë qenë pasive ose jo aktive si pjesë e Kuvendit të Kosovës. Ka interesime të degëve që të ketë përfaqësim të figurave, por kjo mbetet në autoritetin personal nëse njerëzit kanë ambicie. Pjesa tjetër është ajo që dihet publikisht, rikthimi me marrëveshje ose rikthimi natyral i Vjosa Osmanit në LDK. (A do të jetë bartëse e listës?) Nuk kemi kufizime, kjo është diçka pozitive pasi po japim diçka nga sovraniteti ynë politik edhe në të kaluarën kryetari i ka dhënë numrin 1 një kandidati tjetër dhe kjo nuk është risi në subjektin tonë… Oferta është gjeneroze dhe nuk ka ndonjë kufizim. Mund të jetë diku deri te njëzet persona”, deklaron Zemaj.

Ndërkohë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po synon një përfaqësim të gjerë territorial në listën e saj. Nënkryetarja Time Kadrijaj ka konfirmuar se lista do të përbëhet nga 110 kandidatë, ashtu siç e përcakton rregullorja, dhe do të përfshijë përfaqësues nga të gjitha zonat e Kosovës, e jo vetëm nga një rajon, me të cilin është identifikuar, të paktën deri tashti, kjo parti.

Ajo ka theksuar se, krahas emrave ekzistues, do të ketë edhe kandidatë të rinj, ndërsa Aleanca, sipas saj, tashmë është në një proces të brendshëm zgjedhor që po shërben si fazë mobilizimi para nisjes së fushatës.

“Do të ketë përfaqësues prej çdo zone dhe treve. Do të jenë 110 kandidatë ashtu siç parashihen me rregullore dhe do të garojmë fuqishëm në këto zgjedhje… Besoj se do të ketë edhe emra të rinj. Meqenëse afatet ligjore dhe kohore po afrohen, data 12 maj është data kur duhet të dorëzohen listat zgjedhore, ne kemi filluar paraprakisht përgatitjet. Ju e dini se jemi në proces zgjedhor të brendshëm dhe kështu e kemi një parafushatë dhe jemi të mobilizuar në këtë proces”, deklaron Kadrijaj.

KosovaPress të mërkurën ka komunikuar edhe me zyrtarë të PDK-së, mirëpo të njëjtit kanë hezituar të flasin për listën e tyre zgjedhore. Sipas tyre, strategjia e fushatës dhe emrat e kandidatëve për deputetë do të diskutohen në mbledhjen e sotme të kryesisë, e cila nis në orën 15:00.

Kosova do të mbajë zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 7 qershor si pasojë e dështimit për ta zgjedhur presidentin e ri deri më 28 prill, që ishte afati i fundit kushtetues për ta bërë këtë gjë. Votimet e së dielës së parë te qershorit janë të tretat në nivel nacional, prej shkurtit 2025. /KP/

The post Zgjedhjet e 7 qershorit me Vjosa Osmanin në garë, kush hyn e kush bie tjetër nga listat e partive appeared first on Gazeta Express.

InfoShqip