
Pasagjerët e një anijeje turistike kanë mbetur të bllokuar në det, pasi një virus i rrezikshëm i lidhur me brejtësit dyshohet se ka shkaktuar vdekjen e tre personave në bord. Një shtetas britanik raportohet gjithashtu në gjendje kritike.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka konfirmuar gjashtë raste të dyshuara me hantavirus në anijen MV Hondius, e cila po udhëtonte nga Argjentina drejt Kepit të Gjelbër.
Hetimet laboratorike dhe masat e koordinuara ndërkombëtare të shëndetit publik janë ende në vijim.
Çfarë është hantavirusi?
Hantaviruset janë një grup virusesh që përhapen kryesisht përmes brejtësve. Infektimi ndodh zakonisht kur një person thith grimca të kontaminuara nga urina, jashtëqitjet ose pështyma e minjve dhe brejtësve të tjerë. Në raste më të rralla, infeksioni mund të ndodhë edhe nga kafshimet apo gërvishtjet.
Në përgjithësi, hantaviruset nuk përhapen lehtësisht nga njeriu te njeriu. Megjithatë, ato mund të shkaktojnë sëmundje të rënda, sidomos kur prekin mushkëritë apo veshkat.
Simptomat kryesore
Simptomat zakonisht shfaqen nga një deri në tetë javë pas ekspozimit ndaj brejtësve të infektuar. Shenjat e para mund të ngatërrohen me infeksione të tjera, pasi përfshijnë lodhje, temperaturë, dhimbje muskujsh, dhimbje koke, marramendje, të dridhura, të përziera, të vjella, diarre dhe dhimbje barku.
Pas disa ditësh, gjendja mund të përkeqësohet. Tek disa pacientë shfaqen vështirësi në frymëmarrje, ndjesi shtrëngimi në gjoks dhe grumbullim lëngu në mushkëri.
Hantavirusi mund të shkaktojë dy forma të rënda sëmundjeje. E para është sindroma pulmonare nga hantavirusi, e cila prek mushkëritë dhe mund të jetë fatale në një pjesë të rasteve. E dyta është ethet hemorragjike me sindromë renale, që prek veshkat dhe mund të shkaktojë gjakderdhje të brendshme, tension të ulët dhe dështim akut të veshkave.
A ka trajtim?
Aktualisht nuk ka një trajtim specifik për hantavirusin. Pacientët marrin terapi mbështetëse, si hidratim, pushim, monitorim mjekësor dhe, në rastet e rënda, ndihmë për frymëmarrjen.
Për këtë arsye, diagnostikimi i hershëm dhe kujdesi mjekësor janë thelbësorë, veçanërisht nëse një person ka qenë në kontakt me ambiente ku mund të ketë pasur brejtës.
Rasti në anijen turistike
Sipas raportimeve, mes viktimave në anije ishte një burrë 70-vjeçar nga Holanda, i cili kishte shfaqur temperaturë, dhimbje koke, dhimbje barku dhe diarre përpara se të ndërronte jetë. Edhe bashkëshortja e tij 69-vjeçare humbi jetën pasi u rrëzua dhe u shtrua në spital.
Një britanik 69-vjeçar po trajtohet në terapi intensive në Johanesburg, ndërsa autoritetet po shqyrtojnë masat për izolimin dhe trajtimin e pasagjerëve të sëmurë.
Ekspertët thonë se është e mundur që brejtësit të kenë hipur në anije, pasi një gjë e tillë nuk është e pazakontë. Një tjetër mundësi është që infektimi të ketë ndodhur kur anija ishte në port në Argjentinë, duke qenë se periudha e inkubacionit mund të zgjasë deri në tetë javë. Transmetimi nga njeriu te njeriu konsiderohet shumë pak i mundshëm, sidomos në shkallë të gjerë.
Si të ulet rreziku i infektimit?
Ekspertët këshillojnë kujdes në ambiente ku mund të ketë jashtëqitje apo shenja brejtësish. Hapësirat duhet të ajrosen mirë përpara pastrimit, ndërsa jashtëqitjet nuk duhet të fshihen me fshesë të thatë, pasi grimcat mund të ngrihen në ajër.
Rekomandohet përdorimi i dezinfektuesve, maskës mbrojtëse dhe dorezave, si dhe larja e duarve pas çdo kontakti me brejtës, kafaze apo shtroja të tyre.
Edhe pse hantavirusi është i rrallë në vende si Britania dhe SHBA-ja, rastet e fundit tregojnë se virusi mbetet një rrezik serioz kur njerëzit ekspozohen ndaj brejtësve të infektuar. Autoritetet shëndetësore po vijojnë analizat për të kuptuar burimin e shpërthimit, mënyrën e transmetimit dhe nëse virusi ka pësuar mutacione. /GazetaExpress/
The post Hantavirusi, çfarë duhet të dime për virusin që ka filluar të shpërndahet në njerëz appeared first on Gazeta Express.
