
Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka paralajmëruar Iranin se do të përballet me sulme të “një niveli dhe intensiteti shumë më të lartë”, nëse nuk pajtohet me një marrëveshje paqeje, për të cilën raportohet se të dyja palët janë afër.
Mediat amerikane raportuan më 6 maj se Teherani dhe Uashingtoni janë afër arritjes së një marrëveshjeje për një memorandum njëfaqësh, që do t’i jepte fund luftës në Gjirin Persik.
Axios raportoi se marrëveshja do të përfshinte zotimin e Iranit për moratorium për pasurimin e uraniumit, pajtimin e Shteteve të Bashkuara për heqjen e sanksioneve dhe lirimin e miliarda dollarëve fonde të ngrira iraniane, si dhe heqjen nga të dyja palët të kufizimeve për anijet që lundrojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit.
Trumpi duket se e konfirmoi se një marrëveshje është afër, në një postim në rrjetet sociale, ndonëse nuk dha hollësi.
“Duke supozuar se Irani pranon të japë atë për të cilën është rënë dakord, gjë që, ndoshta, është një supozim i madh, operacioni tashmë legjendar Epic Fury do të marrë fund, ndërsa bllokada shumë efektive do të mundësojë që Ngushtica e Hormuzit të jetë E HAPUR PËR TË GJITHË, përfshirë Iranin”, shkroi ai.
“Nëse nuk pajtohen, bombardimet nisin dhe, fatkeqësisht, do të jenë të një niveli dhe intensiteti shumë më të lartë se më parë”.
Operacioni Project Freedom
Komentet e Trumpit erdhën disa orë pasi ai njoftoi se operacioni i quajtur Project Freedom, për shoqërimin e anijeve përmes Ngushticës së Hormuzit, do të “pezullohet për një periudhë të shkurtër kohore”, pas “përparimit të madh… drejt një marrëveshjeje të plotë dhe përfundimtare me përfaqësuesit e Iranit”.
Shtetet e Bashkuara e nisën Project Freedom për të rikthyer qarkullimin tregtar nëpër Ngushticën e Hormuzit, të cilin Irani e kishte ndalur, duke lënë mijëra anije të bllokuara në të dyja anët e ngushticës për javë të tëra dhe duke ndikuar në ekonominë globale.
Irani e bllokoi kalimin nëpër këtë rrugë jetike detare, duke kërcënuar se do të shënjestronte çdo anije që do të përpiqej të kalonte nëpër ngushticë pa pëlqimin e tij, si përgjigje ndaj fushatës ushtarake amerikane dhe izraelite kundër tij, e cila nisi më 28 shkurt.
