E enjte, 07 Maj 2026
Lajme

Bashkimi e eliminon Borën dhe shkon në finale, ku përballet me Trepçën

Image

Bashkimi i Prizrenit e ka siguruar finalen e play-offit në elitën e basketbollit kosovar, pasi e eliminoi Borën të mërkurën mbrëma dhe e mbylli serinë gjysmëfinale me rezultat 3:2.

Në ndeshjen e pestë vendimtare, të zhvilluar në palestrën “Sezai Surroi”, prizrenasit triumfuan bindshëm 100:76, duke bërë që në finale të takohet me Trepçën – një përballje që përsëritet edhe këtë edicion, ashtu si sezonin e kaluar.

Seria ishte e fortë dhe e baraspeshuar: ndeshja e parë në Prizren përfundoi 73:70 për Bashkimin, ndërsa Bora barazoi në duelin e dytë në Prishtinë me fitore 76:75.

Bashkimi u rikthye me fitore 88:73 në Prizren, por Bora e çoi serinë në ndeshje vendimtare pasi fitoi përballjen e katërt 104:99.

Image

Megjithatë, në duelin e pestë, me përkrahjen e madhe të tifozëve, Bashkimi e ngriti nivelin sidomos në çerekun e tretë, ku nisi edhe shkëputja vendimtare në rezultat.

Bora e fitoi periodën e parë 23:19, Bashkimi e mori të dytën 28:21 dhe më pas ishte edhe më i thellë në të tretën, 28:19, ndërsa në periudhën e fundit e ruajti epërsinë e krijuar deri te fitorja e madhe.

Te Bashkimi u dalluan Lejson Zeqiri me 23 pikë, gjashtë kërcime e dy asistime, Shannon Shorter me 20 pikë, tetë kërcime e gjashtë asistime, si dhe Ike Nwamu me 21 pikë, pesë asistime e dy kërcime.

Te Bora më i miri ishte Tyler Cheese me 21 pikë, shtatë kërcime e katër asistime, ndërsa Rron Ukaj shtoi 15 pikë e pesë kërcime, por nuk mjaftuan për ta shmangur humbjen dhe eliminimin.

Finalet do të luhen me sistemin deri në katër fitore, ndërsa seria finale nis të dielën në palestrën “Minatori” në Mitrovicë nga ora 19:30, ku Trepça do ta ketë përparësisë e terrenit vendas pasi e përfundoi stinorin e rregullt në pozitën e parë, kurse Bashkimi në të dytën.

Trepça në gjysmëfinale e eliminoi Pejën me 3:1 në seri, ndërsa Bora pasi befasoi Prishtinën në çerekfinale, u ndal nga Bashkimi, nënkampioni i Kosovës. /Telegrafi/

InfoShqip