Në ditën e lindjes së heroit më të madh të kombit tonë, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, ndiej përulje të thellë për madhështinë e Arbërisë dhe për peshën politike e historike që ajo pati në Europën e kohës – një peshë që në kujtesën tonë kombëtare mbetet e gjallë edhe sot.
Por, krahas kësaj përuljeje, ndiej edhe brengë: për mungesën e njohjes së historisë sonë nga një pjesë e madhe e shoqërisë dhe për mungesën e një përkushtimi më të madh institucional nga shteti shqiptar dhe nga shteti i Kosovës për ta ndriçuar, studiuar dhe promovuar këtë trashëgimi siç e meriton.
Madhështinë e kësaj historie e përjetova personalisht këtë vit në Piana degli Albanesi. Gjatë Pashkëve, ky vend arbëresh ishte i mbushur me vizitorë nga e gjithë bota. Më mbetën në kujtesë fjalët e disa vizitorëve vet italianë, të cilët ishin thellësisht të fascinuar nga ritet arbërore, nga krenaria dhe nga historia e dhimbshme e një populli që, pas rënies së principatave arbërore, u detyrua të largohej nga toka e vet, pas një rezistence gjysmëshekullore kundër pushtimit të Perandorisë Osmane.
Në shoqërinë tonë, historia e rezistencës arbërore shpesh shihet me sytë e së sotmes dhe jo me dritën e kohës së saj. Ajo gjykohet jo rrallë me paragjykime, më shumë mbi bazën e injorancës sesa mbi njohjen e historisë dhe të identitetit tonë kombëtar e kulturor.
Gjergj Kastrioti – Skënderbeu nuk luftoi kundër një feje dhe as nuk e zhvilloi qëndresën e tij si luftë fetare. Lufta e tij ishte luftë për Arbërinë, për lirinë e popullit arbëror dhe për mbrojtjen e identitetit, gjuhës, kulturës dhe dinjitetit të tij. Aleancat, ndërkaq, ishin pjesë e kohës dhe e realitetit politik, ashtu siç janë edhe sot.
Ai luftoi për të mos lejuar shuarjen e një kulture të tërë; për të mbrojtur të drejtën e një populli që të mbetej vetvetja. Kjo frymë lirie, e trashëguar thellë nga rrënjët tona ilire dhe e përcjellë ndër breza, u shfaq edhe në luftën e shqiptarëve të Kosovës në vitet ’90 të shekullit XX: jo kundër një feje apo një kulture tjetër, por për lirinë, dinjitetin dhe të drejtën tonë për të jetuar si shqiptarë.
Ka madje edhe nga ata që pretendojnë se Gjergji nuk foli shqip. Gjergji foli shqip dhe ky fakt nuk ka nevojë te dëshmohet shkencërisht. Është fati ynë i madh që sot kemi pasardhësit e Arbërisë në Itali, arbëreshët, të cilët arritën ta ruajnë shqipen tonë të vjetër dhe të bartin në vete një pjesë të gjallë të kujtesës sonë historike.
Arbëreshët janë relikt i gjallë e shpirtit arbëror; një kujtesë që nuk u shua nga shekujt, një gjuhë që mbijetoi larg trungut, por kurrë larg rrënjës. Ata janë dëshmia se kultura jonë nuk u thye, se gjuha jonë nuk u harrua dhe se historia jonë nuk u varros nën pluhurin e kohës.
Prandaj, mos e kërkoni identitetin në kulturën e huaj. Njihuni me kulturën tuaj, sepse aty gjendet pasuria, rrënja dhe dinjiteti i Juaj i vërtetë. Aty do ta gjeni krenarinë e vërtetë: në një histori dhe kulturë që rrallë gjendet diku tjetër në Europë.
Ditëlindja e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut është një datë që, për fat të keq, nuk figuron në kalendarin tonë zyrtar. Por, ajo jeton në një kalendar më të thellë: në kujtesën dhe në shpirtin e çdo shqiptari. Gjergji është emblema jonë, udhërrëfyesi ynë historik, kombëtar dhe shpirtëror.
Gëzuar ditëlindjen e udhërrëfyesit tonë historik dhe shpirtëror, simbolit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.
