E enjte, 07 Maj 2026
Lajme

Finalja e Ligës së Kampionëve 2026: PSG – Arsenal, ja ku luhet, kur zhvillohet dhe çfarë duhet të dini

Image

Sezoni 2025/26 i Ligës së Kampionëve do të mbyllet me një finale gjigante mes Paris Saint-Germain dhe Arsenalit, që do të zhvillohet në Budapest, Hungari, në stadiumin Puskás Aréna.

PSG – Arsenal, kush luan në finale?

PSG do të përballet me Arsenalin në finalen e këtij edicioni. Parisienët, kampionët në fuqi, synojnë të bëhen vetëm klubi i dytë në epokën e Ligës së Kampionëve që mbron trofeun me sukses pas Real Madridit, që e fitoi tri herë radhazi mes viteve 2016 dhe 2018.

Në anën tjetër, Arsenali – nënkampion në vitin 2006 – kërkon të hyjë në histori si klubi i 25-të që e fiton këtë trofe dhe të bëhet fitues i ri, pas triumfit të PSG-së në vitin 2025.

Ku luhet finalja e Ligës së Kampionëve 2026?

Finalja do të zhvillohet në Puskas Arena në Budapest. Ky stadium priti finalen e Ligës së Evropës në vitin 2023, por finalja e Ligës së Kampionëve 2026 do të jetë hera e parë që Hungaria organizon finalen e kompeticionit më të madh për klube në Evropë.

Image

Kur është finalja e Ligës së Kampionëve 2026?

Finalja është e planifikuar të luhet të shtunën, më 30 maj 2026, duke shënuar përfundimin e sezonit të 71-të të Kupës së Evropës/Ligës së Kmapionëve dhe të 34-tit që nga riemërtimi si Liga e Kampionëve.

Në çfarë ore nis finalja?

Ndeshja nis në 18:00, më herët se zakonisht në krahasim me vitet e fundit, pasi UEFA synon të përmirësojë përvojën e ditës së ndeshjes për tifozët, ekipet dhe qytetin pritës, duke optimizuar logjistikën dhe operacionet e eventit.

A ka vazhdime dhe penallti?

Po. Nëse rezultati është i barabartë pas 90 minutave, luhen dy pjesë nga 15 minuta. Nëse barazimi mbetet edhe pas vazhdimeve, fituesi vendoset me gjuajtje nga pika e bardhë (penallti).

Historia dhe rëndësia e Puskás Aréna

Puskás Aréna u hap zyrtarisht më 15 nëntor 2019 si stadiumi i ri kombëtar i Hungarisë. Ai është ndërtuar mbi vendin e stadiumit të vjetër Ferenc Puskás Stadion, i cili u shemb në vitin 2017, ndërsa hyrja kryesore ruan elemente të vjetra si mure prej tullash.

Stadiumi ka kapacitet rreth 67 mijë ulëse dhe mban emrin e legjendës hungareze Ferenc Puskás, tri herë fitues i Kupës së Evropës me Real Madridin.

Stadiumi ka pritur më herët ndeshje të EURO 2020, si dhe Superkupën e UEFA-s në vitin 2020, ndërsa në maj 2023 aty u zhvillua finalja e Ligës së Evropës ku Sevilla e mposhti Romën me penallti.

Lokacioni i tij është pranë qendrës së Budapestit, rreth një kilometër nga stacioni hekurudhor Budapest Keleti.

Image

Çfarë përfitojnë fituesit?

Fituesi i Ligës së Kampionëve merr trofeun ikonik të UEFA-s, i cili është 73.5 cm i lartë dhe peshon 7.5 kg. Përveç lavdisë, kampioni fiton të drejtën të luajë në Superkupën e UEFA-s 2026 ndaj fituesit të Ligës së Evropës 2025/26 dhe siguron automatiksht një vend në fazën e ligës të Ligës së Kampionëve 2026/27, nëse nuk është kualifikuar përmes kampionatit vendas.

Finalja PSG – Arsenal në Budapest pritet të sjellë një natë historike, me parisienët që synojnë ta mbrojnë kurorën dhe londinezët që kërkojnë të kthehen në majën e Europës për herë të parë. /Telegrafi/

InfoShqip