E enjte, 07 Maj 2026
Lajme

Bordi i Transparencës merr vendimin, ulet çmimi i naftës dhe benzinës

Bordi i Transparencës ka zhvilluar këtë të enjte, më 7 maj 2026, mbledhjen e radhës, ku ka vendosur çmimet e reja për shitjen me pakicë dhe shumicë të karburanteve në vend.

Sipas vendimit të bordit, çmimi i shitjes me pakicë i naftës  do të jetë jo më shumë se 196 lekë për litër, ndërsa çmimi i shitjes me shumicë është caktuar jo më shumë se 184 lekë për litër.

Ndërkohë, për benzinën, çmimi maksimal i shitjes me pakicë do të jetë 180 lekë për litër, ndërsa ai i shitjes me shumicë 168 lekë për litër.

Bordi bëri të ditur se çmimet e reja hyjnë në fuqi sot, më 7 maj, në orën 12:00 dhe do të mbeten në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme, ku do të reflektohen ndryshimet e tjera të mundshme në tregun e karburanteve.

Në njoftim theksohet se të gjithë operatorët e tregtimit me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës janë të detyruar të zbatojnë vendimin. Në rast të shkeljeve të konstatuara, autoritetet paralajmërojnë pezullim të aktivitetit për subjektet që nuk respektojnë çmimet e përcaktuara.

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, deklaron se mbetet e angazhuar për mbrojtjen e interesave të konsumatorëve shqiptarë dhe garantimin e konkurrencës së ndershme në treg.

InfoShqip