Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla theksoi edhe një herë sot në seancë plenare se pr/rezoluta reflekton përparimin e Shqipërisë në rrugën e BE. Balla iu kërkoi deputetëve opozitarë që debati mbi këtë pr/rezolutë të bëhet javën e ardhshme sikundër është parashikuar, pas miratimit të saj në Parlamentin Europian
“Shumë faleminderit dhe mirënjohje të 55 eurodeputetëve anëtarë të Komisionit të Politikës së Jashtme në Parlamentin Evropian për këtë projekt-rezolutë, e cila reflekton qartazi përparimin dhe progresin e Shqipërisë në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, e cila dëshmon qartazi arritjet e Shqipërisë përgjatë këtij viti kur raportohet, se ju kam dëgjuar shpesh, por të paktën dokumentave referojuni siç janë.
Kjo është një projekt-rezolutë e Parlamentit Evropian mbi raportin e Komisionit Evropian për vitin 2025. Tani që të mos bëhemi edhe qesharakë brenda këtij minutazhi, tani Parlamenti Evropian këtë dokumentin do ta miratojë vetë në 16 ose 17 qershor, sepse e ka miratuar Komisioni dhe do ta miratojë seanca plenare, se prandaj quhet projekt.
Tani na kërkohet që ta bëjmë ne diskutimin përpara se ta miratojë Parlamenti Evropian. Tani mos na bëni qesharakë, ne jemi shumë të gatshëm, kur ta doni ju, kur ta doni ju, por ne e kemi programuar javën tjetër me 14 maj, kemi diskutimin e raportit të Komisionit dhe raportin vjetor që përgatit Shqipëria, javën tjetër.
Tani kjo historia për me marrë këtë dy minutëshin këtu, me bërë lajmin, me thënë që ne kërkuam një diskutim për raportin që është projekt-rezoluta e Komitetit të Politikës së Jashtme, kjo nuk shkon.
E para na bën qesharakë se ne do presim ta miratojë Parlamenti Evropian dhe besoj, besoj që do jemi dhe një delegacion nga ne në seancën plenare të Parlamentit Evropian në 16-17, siç ka qenë edhe një praktikë, dhe ndërkohë në 7-8 korrik, a 8-9 korrik, kemi dhe Komitetin Parlamentar të Stabilizimit e Asocimit, ku natyrshëm bashkë me kolegët e Parlamentit Evropian do ta diskutojmë dhe këtë dokument.
Por, për shqiptarët, projekt-rezoluta, e kaluar me 55 vota pro, 7 kundër, 7 abstenim të martën…po kur t’i shohësh, rëndësi ka që të ruajmë edhe seriozitetin institucional dhe serioziteti institucional është: e mirëpresim diskutimin sapo ky dokument të miratohet, sepse e kërkon edhe një lloj praktike institucionale mes institucioneve. Kështu që kryetar, javën tjetër e kemi debatin për raportin”, – u shpreh Balla
Në përfundim të fjalës së tij me 72 vota kundër, Kuvendi rrëzoi kërkesën e opozitës, për të futur në rendin e ditës debatin për raportin mbi integrimin e Shqipërisë në BE./abcnews.al
