
Presidenti i Iranit tha se zhvilloi një takim dy orë e gjysmë me Mojtaba Khamenein, sipas mediave lokale, duke shënuar takimin e parë të raportuar fizik mes një zyrtari të lartë iranian dhe udhëheqësit të ri suprem të vendit, raporton CNN.
Presidenti Masoud Pezeshkian iu referua nevojës për “forcimin e unitetit, besimit dhe solidaritetit brenda strukturës udhëheqëse të vendit” ndërsa përshkroi një takim të fundit me Khamenein, raportoi sot agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve Fars, pa specifikuar se kur ka ndodhur ai.
Khamenei nuk është parë publikisht që nga inaugurimi i tij në mars, pasi sulmet SHBA-Izrael vranë babanë dhe paraardhësin e tij, Ajatollahun e ndjerë Ali Khamenei, gjë që çoi në spekulime për shëndetin dhe vendndodhjen e tij.
Të gjitha deklaratat publike që i atribuohen udhëheqësit të ri suprem janë lexuar nga prezantues në televizionin shtetëror, dhe kjo është hera e parë që raportohet se një zyrtar i lartë qeveritar është takuar me të personalisht.
Koha e këtij zhvillimi është gjithashtu domethënëse, duke ardhur mes optimizmit në rritje mes zyrtarëve se Washingtoni dhe Teherani janë afër një mirëkuptimi.
Pezeshkian tha se Khamenei kishte marrë pjesë në takim me “një frymë të bazuar në thjeshtësi, përulësi, sinqeritet dhe respekt të ndërsjellë, gjë që e bëri atmosferën plotësisht të drejtpërdrejtë, të hapur dhe të shoqëruar me një ndjenjë afërsie dhe besimi”.
“Kur zyrtari me rangun më të lartë në vend bashkëvepron me njerëzit dhe zyrtarët me një etikë, përulësi dhe frymë të orientuar kah populli, kjo sjellje mund të bëhet natyrshëm model edhe për sistemin administrativ dhe menaxhues të vendit”, citohet të ketë thënë presidenti iranian.
The post Presidenti i Iranit thotë se është takuar personalisht me udhëheqësin e ri suprem appeared first on Gazeta Express.
