Analisti Valon Arifi deklaroi se gara politike pritet të jetë mes Vjosa Osmani dhe Albin Kurti, duke theksuar se qytetarët janë të lodhur dhe të zhgënjyer nga qeverisja e Lëvizja Vetëvendosje.
Sipas tij, pas 7 qershorit mund të krijohet një koalicion mes Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës për ndarjen e posteve kryesore shtetërore.
Arifi shtoi se për PDK do të ishte e leverdishme pjesëmarrja në qeveri me VV-në.
“Gara pretendohet të jetë mes Osmanit dhe Kurtit, sepse kanë qenë bashkë këto vite. Arsyeja pse është shkëputur bashkëpunimi me VV ka qenë ndalimi i karrierës së saj si presidente, pra përplasje interesash. Pati një hatërmbetje për kandidaturën për presidente.
LDK pretendon të dalë e dyta bashkë me PDK-në, ku mendoj që nuk do t’ia arrijë edhe në këto zgjedhje. Më interesante është se sa do bjerë Kurti në këto zgjedhje dhe Vetëvendosja; qytetarët janë të lodhur dhe të zhgënjyer, nuk ka entuziazëm te qytetarët.
Këto zgjedhje do të prodhojnë një koalicion mes VV-së dhe PDK-së pas 7 qershorit. Vetë Kurti ia propozoi kreun e Kuvendit të Kosovës zotit Hamza, kryetarit të PDK-së, për të dalë nga ngërçi.
Për VV-në dhe PDK-në, një koalicion i tillë është goxha i mundshëm për ndarjen e tri pozicioneve të shtetit. Për PDK-në do të ishte e volitshme pjesëmarrja në qeveri me VV-në.”
