
Ish-komandanti i përgjithshëm i Ushtrisë Amerikane për Evropën, Ben Hodges, ka folur në një intervistë ekskluzive për Gazetën Express lidhur me lëvizjet e fundit të trupave amerikane nëpër Evropë nën politikën e Administratës së Donald Trump dhe për kërkesën e disa kongesmenëve amerikanë drejtuar Sekretarit Marco Rubio që SHBA të mos i heq trupat nga Kosova, shkruan Gazeta Express.
Hodges ka thënë për Gazeta Express se çfarëdo zvogëlimi i trupave amerikane në Evropë në këtë kohë, teksa po vazhdon konflikti në mes të Rusisë dhe Ukrainës, është veprim i gabueshëm.
Ushtraku amerikan tashmë në pension, ka potencuar se një zvogëlim trupash në Kosovë, teksa ende s’është mbyllur problemi me Serbinë do të ishte lëvizje e parakohshme.
Ish-komandanti amerikan thotë se ndonëse konsideron se vendet evropiane duhet të marrin më shumë përgjegjësi për sigurinë e tyre, çfarëdo zvogëlimi i trupave amerikane në këtë kohë do të dëmtonte perceptimin për besueshmërinë e SHBA-së dhe për atë se çfarë SHBA konsideron si të rëndësishme strategjikisht.
Gazeta Express: Duke parë mënyrën se si ka vepruar Administrata Trump deri më tani, a mendoni se mund të ketë gjithashtu reduktim të pranisë ushtarake amerikane në Kosovë- së fundmi pati një vendim për zvogëlim të trupave amerikane në Gjermani?
Ben Hodges: Pres që të gjitha forcat amerikane në Evropë të jenë në tavolinë për shqyrtim. Nuk i kam parë rezultatet e “rishikimit të pozicionimit të forcave” të përgatitur nga Departamenti i Mbrojtjes, prandaj nuk mund të jem i sigurt. Duke pasur parasysh se trupat amerikane në Kosovë janë pothuajse të gjitha forca rotative, nuk e di nëse do të përfshiheshin në ndonjë lloj reduktimi. Por është e mundur që në një moment rotacionet të ndalen.
A mendoni se kjo do të ishte një lëvizje e gabuar sa i përket sigurisë së rajonit dhe a i shihni si të vlefshme shqetësimet e kongresmenëve?
Ben Hodges: Mendoj se çdo reduktim i trupave amerikane në Evropë në këtë moment është gabim.Rusia po zhvillon një luftë në tokë evropiane kundër Ukrainës dhe po kryen operacione të “zonës gri” në pjesën më të madhe të Evropës Qendrore dhe Lindore. Reduktimi i pranisë amerikane dërgon sinjalin e gabuar te Kremlini për vendosmërinë e SHBA-së dhe te miqtë dhe aleatët tanë për besueshmërinë tonë.
Nëse kjo ndodh, çfarë do të nënkuptonte për marrëdhëniet e SHBA-së me Kosovën dhe në përgjithësi me shtetet anëtare të NATO-s?
Ben Hodges: Ndonëse besoj se vendet evropiane duhet të marrin më shumë përgjegjësi për sigurinë e tyre, çdo reduktim i pranisë së trupave amerikane në këtë moment do të dëmtojë perceptimin për besueshmërinë e SHBA-së dhe për atë se çfarë SHBA-ja e konsideron strategjikisht të rëndësishme.
Duke qenë se e njihni shumë mirë rajonin, a duhet që forcat amerikane të mbeten të pandryshuara në Kosovë derisa të arrihet një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë?
Ben Hodges: Nuk e kam parë analizën më të fundit, por do të mendoja se çdo reduktim do të ishte i parakohshëm derisa negociatat ose diskutimet mes Kosovës dhe Serbisë janë ende në zhvillim./GazetaExpress/
The post Shqetësimet për reduktim të trupave amerikane në Kosovë, Hodges: Çdo zvogëlim i pranisë në Evropë në këtë kohë është gabim appeared first on Gazeta Express.
