E enjte, 07 Maj 2026
Lajme

Detaje të reja rreth zënkës së madhe te Real Madridi: Valverde refuzoi t’i jepte dorën Tchouamenit

Image

Raportimet nga Spanja po sjellin detaje të reja për incidentin në stërvitjen e Real Madridit, që ka pushtuar mediat në orët e fundit.

Sipas Marca, gjithçka ka nisur para seancës, kur Federico Valverde thuhet se refuzoi t’i shtrëngonte dorën Aurelien Tchouamenit, çka e acaroi atmosferën dhe e bëri stërvitjen të zhvillohej në një klimë të hapur tensioni.

Një ditë më herët dyshja kishin probleme dhe një zënkë verbale dhe duket se francezi ka provuar të shuajë gjakrat një ditë pas.

Image

Marca pretendon se pas kësaj, seanca u shndërrua në një “stërvitje armiqësore”, ndërsa situata kulmoi me një përleshje serioze në dhomën e zhveshjes.

Në këtë përplasje, sipas të njëjtit raportim, Valverde ka pësuar një goditje të fortë, që i ka shkaktuar një prerje dhe e ka detyruar të shkojë për trajtim mjekësor në spital.

Marca thekson gjithashtu se incidenti nuk është provokuar nga Tchouameni, duke lënë të kuptohet se shkaku dhe rrjedha e ngjarjes janë më të ndërlikuara sesa u raportua fillimisht.

Image

Në mungesë të një reagimi zyrtar nga klubi, mbetet të shihet nëse Real Madridi do ta sqarojë publikisht situatën dhe nëse incidenti do të ketë pasoja disiplinore brenda skuadrës, sidomos duke qenë se ndodhi në një moment vendimtar të sezonit. /Telegrafi/

InfoShqip