Liverpooli pritet të bëjë ndryshime të mëdha në repartin e portës gjatë afatit kalimtar së verës.
Sipas raportimeve të ESPN, gardiani brazilian Alisson Becker është shumë pranë largimit drejt Juventusit, me klubin italian që mund të paguajë rreth 10 milionë euro për transferimin e tij.
Kontrata e 33-vjeçarit me “The Reds” skadon në vitin 2027.
Përballë këtij skenari, drejtuesit e Liverpoolit kanë nisur kërkimet për një zëvendësues të denjë dhe në tavolinë ndodhen pesë kandidatë kryesorë.
Emri i parë në listë është ai i Giorgi Mamardashvili, portieri gjeorgjian u transferua nga Valencia verën e kaluar për rreth 30 milionë euro dhe shihej si pasardhësi natyral i Alissonit.
Megjithatë, 25-vjeçari ka zhvilluar vetëm 18 ndeshje këtë sezon, kryesisht në mungesë të brazilianit për shkak dëmtimi, ndërsa paraqitjet e tij nuk kanë bindur plotësisht stafin teknik të klubit anglez.
Lucas Chevalier, kandidati kryesor
Sipas raportit, favoriti aktual për portën e Liverpoolit është Lucas Chevalier.
Francezi prej kohësh monitorohet nga klubi anglez, ndërsa verën e kaluar u transferua te Paris Saint-Germain nga Lille për afro 40 milionë euro.
Megjithatë, situata e tij në Paris nuk është ideale, trajneri Luis Enrique ka preferuar Matvey Safonov në portë, ndërsa Chevalier nuk ka luajtur që nga janari.
Mungesa e minutave rrezikon edhe pjesëmarrjen e tij në Kupën e Botës, çka mund ta shtyjë të kërkojë largimin për të siguruar rolin e titullarit në një klub të madh evropian.
Opsione edhe nga Liga Premier
Liverpooli po shqyrton gjithashtu disa alternativa brenda Ligës Premier.
Një prej emrave më të përfolur është Emiliano Martinez, portieri argjentinas ka shkëlqyer me Aston Villa dhe konsiderohet si një zgjedhje e sigurt për të tashmen, ndërsa Mamardashvili do të vazhdonte zhvillimin gradual.
Martinez ka kontratë deri në vitin 2029, por edhe më herët është përfolur për një largim të mundshëm.
Për perspektivën afatgjatë, “The Reds” po ndjekin edhe Bart Verbruggen të Brighton, si dhe Djordje Petrovic, i cili aktualisht aktivizohet te Bournemouth.
Të dy portierët konsiderohen investime të kushtueshme, por me potencial të madh për të ardhmen. /Telegrafi/
