Në Moskë më 9 maj do të mbahet tradicionalisht parada për Ditën e Fitores ndaj nazizmit dhe fashizmit, ndërsa periudha para kësaj ngjarjeje është shoqëruar me deklarata të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky se Rusia po frikësohet nga një sulm i mundshëm me dronë ukrainas gjatë paradës.
Megjithëse zyrtarët rusë në paraqitjet publike kanë minimizuar kërcënimin dhe njëkohësisht kanë paralajmëruar sulme masive ndaj Kievit në rast të ndonjë sulmi ndaj paradës, në Kremlin deklaratat e Zelenskyt janë marrë seriozisht.
“Nga Kremlini është bërë e ditur se janë ndërmarrë masa shtesë për të garantuar sigurinë e presidentit Vladimir Putin pas kërcënimeve nga Kievi se mund të pengojë paradën në Moskë”, thuhet në njoftim.
Zelensky më herët kishte deklaruar se frika nga dronët ukrainas është arsyeja pse në paradën e këtij viti do të mungojë një pjesë e madhe e teknikës ushtarake ruse, shkruan reuters.
“Rusia ka paralajmëruar paradë pa pajisje ushtarake. Ata nuk mund ta përballojnë ekspozimin e pajisjeve ushtarake dhe kanë frikë nga vizita e dronëve tanë”, tha ai.
Në anën tjetër, Rusia u ka bërë thirrje diplomatëve të huaj të largohen nga Kievi në rast se Moska vendos të kryejë një sulm masiv, të cilin e ka paralajmëruar nëse ushtria ukrainase ndërmerr ndonjë operacion gjatë ditës së paradës.
Raporte të tjera mediale kanë bërë të ditur se Kremlini ka rritur ndjeshëm masat personale të sigurisë për Putinin, për shkak të frikës nga atentatet, rrjedhja e informacioneve të ndjeshme dhe madje mundësia e një grushti shteti. Masat përfshijnë kontrolle të dyfishta për vizitorët, ndalim të përdorimit të telefonave me internet për stafin e afërt dhe kufizim të lëvizjeve të presidentit rus. /Telegrafi/
