E enjte, 07 Maj 2026
Lajme

Hayden Panettiere: “Jam biseksuale”

Hayden

Aktorja amerikane Hayden Panettiere ka folur për herë të parë publikisht për orientimin e saj seksual, duke zbuluar se është biseksuale.

Deklarata u bë gjatë një interviste për Us Weekly, në prag të publikimit të autobiografisë së saj të re, This Is Me: A Reckoning, e cila pritet të dalë më 19 maj.

“Tani që kam vendosur ta ndaj me botën, ndihem rehat dhe mund ta them hapur: po, unë jam biseksuale. Është hera e parë që e them me zë”, u shpreh Panettiere, duke shtuar me humor: “Më mirë vonë se kurrë”.

Aktorja 36-vjeçare tregoi se për një kohë të gjatë e kishte pasur të vështirë ta ndante këtë pjesë të identitetit të saj me publikun, nga frika se mund të keqinterpretohej apo të shihej si diçka e momentit.

Panettiere tha se ka ndier gjithmonë tërheqje ndaj grave, madje që në fëmijëri, por nuk e kishte artikuluar më parë publikisht. Ajo theksoi se, nëse do të dashurohej, nuk do të dëshironte ta mbante të fshehtë marrëdhënien.

Në të njëjtën intervistë, aktorja foli edhe për sfida të tjera personale, përfshirë betejën me varësinë, dhimbjen pas humbjes së vëllait të saj, Jansen Panettiere, si dhe përvoja të vështira në marrëdhënie abuzive.

Hayden Panettiere është e njohur për rolet e saj në serialet e suksesshme Heroes dhe Nashville, ndërsa prej vitesh ka qenë shpesh në vëmendjen e publikut edhe për jetën e saj personale. /GazetaExpress/

The post Hayden Panettiere: “Jam biseksuale” appeared first on Gazeta Express.

InfoShqip