E premte, 08 Maj 2026
Lajme

Vrasja e biznesmenit në Sarandë, policia jep detaje: Dyshohet edhe për një të plagosur. Pika kontrolli në zonë

Një ngjarje e rëndë me armë zjarri ka tronditur mbrëmjen e sotme Sarandën, ku një 66-vjeçar ka mbetur i vrarë pas një konflikti të përshkallëzuar.

Sipas njoftimit paraprak të Policisë, rreth orës 21:30, në vendin e quajtur “Qafë Gjashtë”, ka ndodhur një konflikt mes disa personash për motive që ende nuk janë zbardhur.

Burimet bëjnë me dije se fillimisht konflikti ka nisur me sende të forta dhe më pas është përshkallëzuar me përdorimin e armëve të zjarrit.

Si pasojë, ka mbetur i vrarë pronari i lokalit, 66-vjeçari Rexhep Ismali, banues në Qafë Gjashtë.

Po ashtu, dyshohet se gjatë shkëmbimit të zjarrit është plagosur edhe një person tjetër, i cili ende nuk është paraqitur për ndihmë mjekësore dhe nuk është identifikuar nga autoritetet.

NJOFTIMI;

Rreth orës 21:30, në vendin e quajtur “Qafë Gjashtë”, në lokalin në pronësi të shtetasit R. I., gjatë një konflikti për motive që do të zbardhen gjatë hetimit, mes disa personash, ku fillimisht konflikti ka nisur me sende të forta dhe më pas me përdorimin e armëve të zjarrit, ka mbetur i vrarë shtetasi R. I., 66 vjeç, banues në Qafë Gjashtë, Sarandë.

Gjithashtu, dyshohet se gjatë konfliktit me armë zjarri është plagosur edhe një shtetas tjetër, i cili ende nuk është paraqitur për ndihmë mjekësore dhe nuk është identifikuar.

Nga veprimet e para hetimore dhe informacionet e siguruara në vendngjarje, dyshohet se shtetasi L. T. ka vrarë me armë zjarri shtetasin R. I. dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes së bashku me personat e tjerë të përfshirë dhe me shtetasin që dyshohet se ka mbetur i plagosur.

Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli dhe po krehin zonën për kapjen e autorit dhe të personave të përfshirë në konflikt.

Njëkohësisht, po ushtrohen kontrolle në spitalet rajonale dhe në klinikat private, me qëllim identifikimin dhe gjetjen e shtetasit të dyshuar të plagosur.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për zbardhjen e plotë dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.

InfoShqip