E premte, 08 Maj 2026
Lajme

“Po bashkohet e djathta” – Besian Mustafa tregon pse Vjosa Osmani do të garojë me LDK-në

Besian Mustafa Vjosa Osmani E Lumir Abdixhiku

Lidhja Demokratike e Kosovës po e sheh afrimin politik me ish presidenten Vjosa Osmani si pjesë të një projekti më të gjerë për ribashkimin e së djathtës në Kosovë dhe krijimin e një alternative të re politike për zgjedhjet e ardhshme.

Në “Përballje Podcast”, ish deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, deklaroi se bashkimi me Osmanin nuk lidhet me interesa individuale apo kalkulime personale, por me nevojën për ta konsoliduar spektrin e djathtë politik në vend.

– YouTube www.youtube.com

Sipas tij, ideja e bashkimit ka si motiv kryesor tejkalimin e ndarjeve të së kaluarës dhe krijimin e një projekti të përbashkët politik.

“Përveç qëllimit fisnik-politik në vetvete, është edhe goxha praktike… për të mirën e qytetarëve të Kosovës po tentojmë, po punojmë me u bashku e djathta. Kjo përfshin Vjosa Osmanin dhe kjo përfshin çdo emër tjetër”, tha Mustafa në “Përballje Podcast” me kryeredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu.

Besian Mustafa Nga Ldk Besian Mustafa nga LDKFoto: Ridvan Slivova

Ai shtoi se LDK-ja po u bën thirrje të gjithë figurave të djathta që në të kaluarën janë larguar nga partia, të rikthehen në një projekt të përbashkët politik.

“Këtë mundësi po e shfrytëzoj me i ftu të gjithë ata që e ndjejnë veten të djathtë, që për çfarëdo arsye në rrugëtimin e tyre politik janë largu nga LDK-ja, me u kthy në LDK”, deklaroi Mustafa shkruan Telegrafi.

Duke folur për raportet e dikurshme mes Osmanit dhe LDK-së, Mustafa pranoi se kanë ekzistuar përplasje politike dhe hatërmbetje, por tha se ato duhet të tejkalohen në funksion të një projekti më të madh politik.

“Këto hidhërime e fërkime që i kemi janë puro politike… sot kemi gjet rrugë të përbashkët prapë. Rikthehemi, ribashkohemi dhe shtyjmë një projekt tash e një herë për të mirën e qytetarëve të Kosovës”, u shpreh ai.

Besian Mustafa Nga Ldk Ne P U00ebrballje Podcast Me Kryredaktorin E Telegrafit Muhamet Hajrullahu Besian Mustafa nga LDK ne “Përballje Podcast” me kryredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu.Foto: Ridvan Slivova

Mustafa tha se elektorati i LDK-së ka përvojë me procese të ngjashme ribashkimi, duke përmendur rikthimin e figurave nga LDD dhe shkrirjen e partisë Ora në LDK në të kaluarën.

“LDK-ja dhe elektorati i LDK-së kanë përvojë në këtë drejtim… kanë kapacitet dhe përvojë për t’i tejkalu hatërmbetjet momentale për një qëllim më të madh”, deklaroi ai.

Sipas Mustafës, bashkimi i Osmanit me LDK-në mund të ketë ndikim të rëndësishëm në zgjedhjet e ardhshme, sidomos tek votuesit e pavendosur dhe tek elektorati që nuk ka marrë pjesë në proceset e fundit zgjedhore.

Ai tha se LDK-ja do të fokusohet në ofertën programore dhe në zhvillimin ekonomik, duke tentuar të bindë qytetarët se “e djathta e bashkuar” është alternativa më e mirë për Kosovën.

Mustafa kritikoi edhe qasjen e qeverisë aktuale në raport me procesin e zgjedhjes së presidentit dhe zhvillimet politike që çuan vendin drejt zgjedhjeve të reja, duke insistuar se përgjegjësia kryesore bie mbi Vetëvendosjen si partia më e madhe në Kuvend. /Telegrafi/

InfoShqip