Një peshk ton gjigant prej 120 kilogramësh, i gatuar live në mes të njerëzve, u kthye në një nga momentet më virale të këtij sezoni në jug të Shqipërisë. Pas spektaklit që bëri bujë në Himarë qëndron shefi i kuzhinës Vjonis Alushja, i cili rrëfeu në “ABC e Mëngjesit” historinë e suksesit, lodhjes dhe pasionit të tij për gatimin.
“Dashuria për kuzhinën ka nisur që në fëmijëri. Gjithmonë më pëlqente të provoja shije të reja dhe të rrija pranë kuzhinës”, tregon ai.
Me kalimin e viteve, pasioni u kthye në profesion, por jo pa sakrifica.
“Kuzhina është shumë e vështirë. Nuk mjafton vetëm talenti. Duhet disiplinë, durim dhe shumë punë. Kjo punë më ka lodhur jashtë mase, por vazhdoj sepse e dua”, shprehet shefi i kuzhinës.
Në rrëfimin e tij, ai vlerëson edhe mbështetjen e familjes, duke treguar se pa ta gjithçka do të kishte qenë shumë më e vështirë.
Por momenti që e bëri viral ishte gatimi spektakolar i tonit 120 kilogramësh, i kapur në portin e Sarandës dhe i përgatitur live për turistët dhe klientët.
“Ishte ideja ime. Kur pamë madhësinë e peshkut menduam ta kthenim në një eksperiencë të veçantë. Sinqerisht mbeta pa fjalë kur e pashë. Nuk është diçka që e sheh çdo ditë”, rrëfen ai.
Sfida, sipas tij, ishte shumë më e madhe nga sa dukej në kamera. “Terreni ishte i vështirë dhe kishte shumë presion nga njerëzit që po ndiqnin gjithçka live. Thikat mezi prisnin sepse nuk ishin për ato përmasa. Thikat që kisha ishin për peshq deri në 60-70 kilogramë dhe kjo krijoi shumë vështirësi, por askush nuk e kuptoi”, thotë ai me buzëqeshje.
Procesi kërkonte kujdes maksimal.
“Filetimi i një peshku të tillë kërkon eksperiencë. Duhet kontrolluar temperatura, prerja, mënyra e pjekjes dhe koha. Çdo gjë duhet të jetë perfekte”, shpjegon Vjonisi. Sipas tij, reagimi i njerëzve ishte i jashtëzakonshëm. “Kam marrë pafund mesazhe pozitive nga Shqipëria dhe jashtë saj. Fakti që njerëzit e pëlqyen ka shumë rëndësi për mua”, shprehet ai.
