E premte, 08 Maj 2026
Lajme

Ukraina është fituesja e madhe e luftës me Iranin

Volodymyr Zelenskyy

Kievi po shënon përparime të dukshme në fushëbetejë dhe po siguron gjithashtu miq të rinj në Lindjen e Mesme.

Burimi: The Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com

Mes paqartësisë që rrethon negociatat për t’i dhënë fund konfliktit me Iranin, një arsye e papritur për optimizëm është ndikimi i dobishëm që lufta ka pasur për Ukrainën. Ndërsa vëmendja e botës është përqendruar te pasojat ekonomike të mbylljes së Ngushticës së Hormuzit, Kievi e ka shfrytëzuar me mjeshtëri konfliktin në favor të vet.

Një nga treguesit më të prekshëm të kësaj është parë në fushëbetejë ku, për herë të parë pas shumë muajsh, Ukraina ka arritur të krijojë një avantazh të rëndësishëm në luftën e saj të gjatë me Rusinë.

Studimi më i fundit i kryer nga Instituti për Studimin e Luftës [Institute for the Study of War] zbuloi se gjatë marsit ushtria ruse jo vetëm që pothuajse nuk shënoi fare përfitime territoriale në vijën e frontit në Ukrainë – për herë të parë në dy vjet e gjysmë – por, gjithashtu konfirmoi se ukrainasit kishin arritur një sërë depërtimesh të lokalizuara në Juglindje të vendit. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, ka vlerësuar se fitimet totale arrijnë në 117.6 milje katrorë [304.5 kilometra katrorë] ose rreth 10 për qind të territorit që Kievi humbi ndaj Moskës në vitin 2025.

Edhe pse kjo është padyshim një arritje modeste, suksesi i ukrainasve do të thotë se, pavarësisht ofensivës së shumëpritur ushtarake pranverë-verë të Moskës, tani ka pak gjasa që rusët të arrijnë objektivin e tyre për të marrë “brezin e fortesave” të Ukrainës – territorin ukrainas të fortifikuar rëndë në Donbas, i cili konsiderohet jetik për vendosjen e kontrollit në Lindje të vendit. Në të njëjtën kohë, rusët vazhdojnë të pësojnë humbje katastrofike; Instituti për Studimin e Luftës vlerëson se humbjet e tyre mesatare aktualisht arrijnë në rreth 35 mijë [njerëz] në muaj.

Pjesa më e madhe e kësaj i atribuohet sofistikimit në rritje të kapaciteteve vendore të Ukrainës për dronë dhe raketa gjë që, së bashku me paaftësinë e Rusisë për të pasur qasje në rrjetin e komunikimit Starlink të Elon Muskut, i ka vendosur forcat ruse në një pozitë të qartë disavantazhi.

Për më tepër, Ukraina ka arritur të intensifikojë goditjet e saj thellë brenda territorit rus, duke synuar kryesisht infrastrukturën kyçe të naftës ruse për të qenë e sigurt që Kremlini të mos përfitojë nga rritja marramendëse e çmimeve të shkaktuar nga konflikti me Iranin. Vlerësimet e fundit sugjerojnë se 40 përqind e eksporteve ruse të naftës janë prekur nga goditjet ukrainase ndaj tubacioneve, porteve dhe rafinerive gjatë javëve të fundit.

Mbrojtja ajrore e Ukrainës është përmirësuar gjithashtu ndjeshëm në muajt e fundit, ndërkohë që Rusia ka vazhduar sulmet e kombinuara me dronë dhe raketa kundër infrastrukturës kyçe ukrainase – në përpjekjen për të thyer vendosmërinë e popullatës civile të Ukrainës. Ukrainasve u atribuohet rrëzimi i një numri rekord prej 33 mijë dronësh rusë gjatë marsit, shumë prej tyre të prodhuar në Iran.

Kjo vjen pas suksesit të Kievit në zhvillimin e mënyrave të lira dhe shumë efektive për t’iu kundërvënë sulmeve me dronë – në vend që të mbështetet te raketat mbrojtëse të teknologjisë së avancuar, si sistemi amerikan i mbrojtjes ajrore, Patriot.

Performanca gjithnjë e më efektive e Ukrainës në fushëbetejë po tërheq interes të madh nga një sërë partnerësh në Evropë dhe në Lindjen e Mesme, veçanërisht nga shtetet e Gjirit që janë të dëshpëruara të përmirësojnë mbrojtjen e tyre kundër kërcënimit të paraqitur nga dronët dhe raketat iraniane.

Rritja e interesit të shteteve të Gjirit, si Arabia Saudite, Katari dhe Emiratet, ka bërë që Kievi të arrijë një sërë marrëveshjesh fitimprurëse të mbrojtjes me vendet arabe të cilat duan të përfitojnë nga aftësia teknologjike e Kievit. Marrëveshjet e ngjashme janë arritur me Gjermaninë, Norvegjinë, Holandën dhe Turqinë.

Kjo ka potencialin të sjellë ndryshime të thella në peizazhin gjeopolitik. Përpara konfliktit me Iranin, shumë shtete të Gjirit kërkonin të forconin lidhjet me Pekinin dhe Moskën për shkak të shqetësimeve të tyre lidhur me besueshmërinë e ShBA-së dhe të aleatëve të saj perëndimorë për mbrojtjen e interesave të tyre në kohë krize.

Lufta me Iranin, gjatë së cilës Teherani ka ndërmarrë rregullisht sulme të paprovokuara kundër fqinjëve të tij të Gjirit, ua ka konfirmuar frikën më të keqe. Por, fakti që si Kina ashtu edhe Rusia i kanë dhënë mbështetje Iranit, kjo ka bërë që shumë udhëheqës të Gjirit të rishqyrtojnë aleancat e tyre, me rezultatin ku Ukraina është shfaqur papritur si një alternativë.

Nëse kjo luftë ka nxjerrë diçka në pah, ajo është pamjaftueshmëria e mbështetjes te Kina ose Rusia. Edhe pse Pekini dhe Moska kanë nënshkruar marrëveshje gjithëpërfshirëse me Teheranin, asnjëra nuk ishte në gjendje t’u ofronte ajatollahëve ndonjë mbrojtje domethënëse kundër fuqisë superiore të zjarrit amerikan dhe izraelit.

Tërheqja e Rusisë si një aleate e besueshme është edhe më pak bindëse, duke pasur parasysh performancën e saj zhgënjyese në Ukrainë, gjë që ka bërë që Vladimir Putini të detyrohet të zvogëlojë paradën tradicionale ushtarake të Ditës së Fitores më 9 maj në Moskë, nga frika se aktiviteti mund të bëhet objektiv i sulmeve ukrainase me dronë. /Telegrafi/

InfoShqip