E premte, 08 Maj 2026
Lajme

Trump “kritika” për biletat/ Presidenti amerikan kundër çmimeve të “kripura” të Botërorit

Numërimi mbrapsht ka nisur, por kur mbeten pak javë nga “Botërori 2026”, çmimet e biletave për ndeshjet e turneut më të rëndësishëm të futbollit vazhdojnë të jenë në qendër të kritikave.

Por gjërat tashmë bëhen serioze, pasi mbi këtë temë ka ndërhyrë për herë të parë edhe presidenti Donald Trump, pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja dhe Meksika janë vendet organizatore.

Presidenti amerikan ka kritikuar ashpër çmimet “kripura” të biletave për Kupën e Botës, duke deklaruar se as ai nuk do të paguante 1,000 dollarët e nevojshëm për të parë Shtetet e Bashkuara të luanin ndeshjen e tyre të parë kundër Paraguait muajin e ardhshëm. “Nuk isha në dijeni të atij çmimi. Sigurisht që do të doja të isha atje, por sinqerisht, as unë nuk do ta paguaja atë çmim”, tha presidenti amerikan në një intervistë telefonike me “Neë York Post”.

Shtetet e Bashkuara e hapin Botërorin në stadiumin “SoFi” në Los Angeles, ndërsa çmimet e biletave fillojnë nga rreth 1,000 dollarë.

“Nuk e kisha dëgjuar këtë, por do të duhet ta shqyrtoj”, shtoi Trump, i cili tha se ishte “i zhgënjyer” që amerikanët e klasës punëtore, të cilët përbëjnë një pjesë të bazës së tij votuese, mund të mos jenë në gjendje të marrin pjesë në ndeshjet e Kupës së Botës për shkak të çmimeve të larta. “Do të doja që njerëzit që votuan për mua të kishin mundësinë të ishin atje”, tha presidenti, duke theksuar megjithatë se Kupa e Botës tashmë po rezulton të jetë “një sukses i jashtëzakonshëm”.

Biletat e “Botërorit 2026” kanë kaluar të gjithë imagjnatën, ndërsa në platformën zyrtare të rishitjes së tyre, biletat e finales kanë arritur deri në 2 milion dollarë.

FIFA mbrojti modelin e saj të “çmimeve të ndryshueshme”, duke e quajtur atë në përputhje me standardet e industrisë sportive të Amerikës së Veriut dhe që synon optimizimin e shitjeve dhe pjesëmarrjes përmes vlerës së tregut.

InfoShqip