Kosova nuk mund ta marrë automatikisht statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian, për këtë ajo duhet t’i bind të 27 shtete anëtare të BE-së.
Ushtruesja e detyrës së shefes së Zyrës së BE-së në Kosovë, Eva Palatova ishte e qartë në mesazhin dërguar kryeministrit në detyrë Albin Kurti duke theksuar dy nga detyrat kyçe dhe të panegociueshme për shtetin.
“E di, zoti Kryeministër, që ju dëshironi që BE-ja të ecë përpara me aplikimin për anëtarësim, të cilin e dorëzuat gjatë presidencës çeke në Pragë. Ne jemi këtu për t’ju ndihmuar që ta arrini këtë synim të radhës. Por më lejoni të jem e sinqertë: Brukseli nuk mund ta japë thjesht statusin e kandidatit. Ju duhet t’i bindni të gjitha shtetet anëtare. Dhe për këtë, rëndësi kanë disa elemente kyçe. Kosova është dhe duhet të mbetet një demokraci e gjallë dhe Zgjedhjet parlamentare që mbahen një muaj nga sot duhet të jenë, përsëri, të lira, të drejta dhe gjithëpërfshirëse”, deklaroi Eva Palatova.
Për kryeministrin në detyrë është Bashkimi Evropian që duhet t’i jap statusin e vendit kandidat Kosovë dhe të hapen negociatat për anëtarësim duke përmendur shifrat e qytetarëve që e mbështesin integrimin e vendit në union (rreth 80 % e tyre).
Mesazhi u dha nga aktiviteti i organizuar për Ditën e Europës nga ku Palatova tha se integrimi evropian kërkon reforma, përgjegjësi dhe përfshirje të gjerë shoqërore, edhe pse në Kosovë reformat “flenë” në letra, pa mundur të formësohen për shkak të krizës së gjatë politike në vend.
Kosova është i vetmi shtet në rajon që nuk e ka statusin e vendit kandidat.
/abcnews.al/
