E premte, 08 Maj 2026
Lajme

Tensionet në skuadrën e Realit nisën që nga shkarkimi i Alonsos

Xabi Alonso

Real Madridi ka pasur një javë shumë të trazuar para “El Clásicos”, dhe gjithçka shpërtheu të enjten kur Aurelien Tchouameni dhe Fede Valverde u përfshinë në një përplasje fizike gjatë stërvitjes.

Dyshja kishte pasur një debat të ashpër të mërkurën, dhe 24 orë më vonë situata u përshkallëzua ndjeshëm, duke bërë që të dy të jenë nën hetim të brendshëm.

Rasti mes Tchouamenit dhe Valverdes, të cilin ky i fundit është përpjekur ta minimizojë, është vetëm incidenti më i fundit në një seri ngjarjesh të vogla që kanë bërë dhomën e zhveshjes së Real Madridit jashtëzakonisht toksike dhe të përçarë.

Sipas “El Mundo”, shkaku kryesor lidhet me vendimin e klubit për t’u ndarë me ish-trajnerin Xabi Alonso pas humbjes në finalen e Superkupës së Spanjës kundër Barcelonës në janar, vendim me të cilin shumë lojtarë nuk ishin dakord.

Brenda skuadrës kishte një grup lojtarësh pro Alonsos dhe një grup tjetër që mbështeste largimin e tij.

Kjo krijoi përçarje të brendshme, dhe këto tensione tani janë përshkallëzuar në incidentet e fundit me Tchouamenin dhe Valverden, si dhe në një tjetër rast me Antonio Rüdiger, i cili dyshohet se ka goditur me shuplakë Alvaro Carrerasin në një tjetër përplasje.

Incidenti mes Valverdes dhe Tchouamenit çoi në ndërhyrjen e menaxherit të përgjithshëm Jose Angel Sanchez, ndërsa drejtuesit e lartë – përfshirë presidentin Florentino Perez – raportohet se janë shumë të zhgënjyer me grupin e lojtarëve, të cilët burime të klubit i përshkruajnë si një “grup shumë i papjekur, janë si fëmijë”.

Hierarkia e Real Madridit gjithashtu është zhgënjyer me rolin e Alvaro Arbeloas, ose më saktë mungesën e tij në menaxhimin e situatës.

Ekziston ndjesia se ai duhet të kishte pasur kontroll më të mirë mbi lojtarët e tij dhe është akuzuar se ka qenë pothuajse i padukshëm në të dy incidentet mes Tchouamenit dhe Valverdes të mërkurën dhe të enjten./GazetaExpress/

The post Tensionet në skuadrën e Realit nisën që nga shkarkimi i Alonsos appeared first on Gazeta Express.

InfoShqip