Ikona e Argjentinës, Lionel Messi, i ka veçuar Francën, Spanjën, Brazilin dhe Portugalinë si kandidatët kryesorë për ta fituar Kupën e Botës 2026, duke insistuar se “La Albiceleste” nuk janë favoritë absolutë, pavarësisht se shkojnë si kampionë në fuqi.
Messi i bëri këto komente në një intervistë me Pollo Alvarez, ku foli për turneun e ardhshëm në Amerikën e Veriut dhe vlerësoi balancat aktuale të futbollit ndërkombëtar.
“Duhet ta kuptojmë se ka edhe favoritë të tjerë përpara nesh, ekipe që po vijnë në formë më të mirë”.
“Franca po duket sërish shumë e fortë, me kaq shumë lojtarë të nivelit të lartë. Edhe Spanja”.
Messi përmendi edhe Brazilin si pretendent të përhershëm, pavarësisht paraqitjeve jo gjithmonë të qëndrueshme në arenën ndërkombëtare.
“Brazili, edhe pse prej një kohe nuk ka qenë në nivelin më të mirë, ata janë gjithmonë pretendentë”.
Po ashtu, ai e përmendi edhe Portugalinë, të udhëhequr nga Cristiano Ronaldo, si një kundërshtar serioz për Botërorin e vitit 2026.
“Portugalia, mendoj, ka gjithashtu një kombëtare shumë konkurruese”, theksoi Messi.
Argjentina do të hyjë në turne si kampione në fuqi e botës, por mbetet ende e paqartë pjesëmarrja e Messit, pasi sulmuesi nuk ka konfirmuar nëse do të jetë pjesë e kompeticionit.
Kupa e Botës 2026 do të organizohet në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Kanada, ndërsa Argjentina pritet ta nisë fushatën kundër Algjerisë, në një ndeshje të Grupit J më 17 qershor./Telegrafi/
