Përshtypjen e parë për çdo shtëpi nuk e krijojnë mobiliet e shtrenjta apo ndriçimi modern, por aroma që na pret që në prag dhe menjëherë ndikon në disponim, qetësi dhe ndjenjën e pastërtisë
Prandaj, shumë njerëz kërkojnë një zgjidhje të thjeshtë që e bën hapësirën të freskët, por pa aromën e rëndë dhe artificiale që shpesh e kanë freskuesit komercialë.
Ndërsa raftet e dyqaneve janë të mbushura me sprej dhe difuzorë me përbërës kimikë, zgjidhja më praktike mund të gjendet pikërisht në kuzhinën tuaj. Për një shtëpi që mban aromë të këndshme dhe natyrale, ju duhen vetëm një qese çaji dhe disa pika vaj esencial.
Truku me dorezën e derës: difuzor i padukshëm në çdo dhomë
Mund të tingëllojë e pazakontë, por vendosja e një qeseje çaji në dorezën e derës është bërë një nga mënyrat më të thjeshta për ta ruajtur freskinë në shtëpi. Arsyeja është shumë praktike: dorezat e dyerve janë vende që i prekim dhe i lëvizim vazhdimisht.
Sa herë që hapni ose mbyllni derën, qesja e çajit lëviz lehtë, aroma e vajit esencial aktivizohet përsëri dhe ajri e shpërndan atë nëpër dhomë.
Përgatitja është shumë e thjeshtë. Pasi ta pini çajin, mos e hidhni qesen. Lëreni të thahet plotësisht, sepse kjo është e rëndësishme për të shmangur njollat, pastaj hidhni mbi të disa pika vaj esencial sipas dëshirës.
Me fillin e vet ose me një fjongo dekorative, vareni në pjesën e brendshme të dorezës së derës. Në këtë mënyrë, çdo dhomë ku hyni do t’ju presë me një aromë të lehtë e të këndshme, ndërsa freskuesi mbetet pothuajse i padukshëm, transmeton Telegrafi.
shutterstock
Përthithës natyral i aromave të pakëndshme
Ajo që e bën këtë truk më interesant se shumë qirinj aromatikë është vetë struktura e gjetheve të çajit. Çaji është përthithës natyral, që do të thotë se jo vetëm përhap aromë të këndshme, por ndihmon edhe në neutralizimin e lagështisë dhe aromave të pakëndshme nga ajri.
Kjo e bën të përshtatshëm për hapësira që ajrosen më vështirë ose ku aromat qëndrojnë më gjatë, si banja, dollapët, depoja ose gardëroba.
Ndryshe nga sprejët e fortë, të cilët shpesh vetëm i mbulojnë aromat, qesja e thatë e çajit me vaj esencial kryen dy funksione njëkohësisht: freskon ajrin dhe i jep hapësirës aromë të butë.
Ky truk është shembull i mirë se si, me ripërdorimin e gjërave të përditshme, mund të arrihet një efekt shumë i këndshëm. Në vend që të shpenzoni para për freskues plastikë që avullojnë shpejt, qesja e çajit ju lejon ta krijoni vetë aromën e shtëpisë suaj.
Kur aroma të zbehet, mjafton të shtoni edhe një pikë vaj esencial dhe doreza e derës do të bëhet përsëri burim i aromave më të këndshme në shtëpi. /Telegrafi/
