Në vend të lidhjes klasike me penj, bimët ngjiten vetë në rrjetë, duke kursyer kohë, duke lehtësuar vjeljen dhe duke e mbajtur serrën më të rregullt
Gjithnjë e më shumë kopshtarë po kërkojnë mënyra më të thjeshta dhe më praktike për kultivimin e trangujve, sidomos në serra. Një metodë e pazakontë nga Islanda, vitet e fundit, po tërheq vëmendje sepse e zvogëlon ndjeshëm punën rreth bimëve, ndërsa njëkohësisht e lehtëson vjeljen dhe mirëmbajtjen.
Në vend të lidhjes klasike me penj dhe drejtimit të vazhdueshëm të kërcejve, bimët rriten vetë dhe ngjiten në rrjetë. Rezultati është një serrë më e rregullt, më pak kohë e shpenzuar dhe tranguj që vilen më lehtë.
Pse metoda islandeze është kaq praktike
Edhe pse Islanda ka klimë më të ftohtë, kopshtarët atje prej vitesh kanë përsosur mënyrat e kultivimit të perimeve në serra. Pikërisht thjeshtësia e sistemit është ajo që i tërheq shumë njerëz.
Dallimi kryesor është se trangujt nuk lidhen një nga një, por mbi shtretërit e ngritur vendoset një rrjetë, ku bimët ngjiten vetë sapo të lëshojnë fijet e para kapëse.
Në këtë mënyrë shmanget lidhja e vazhdueshme e kërcejve, vendosja e penjve dhe mbështetëseve, si dhe ngatërrimi i bimëve dhe kërkimi i vështirë i frutave mes gjetheve të dendura.
Kur bima e mbulon plotësisht rrjetën, trangujt varen nga të dyja anët dhe vilen shumë lehtë, transmeton Telegrafi.
Si ta zbatoni këtë parim
Për këtë metodë nuk nevojiten pajisje të shtrenjta. Mjaftojnë një kornizë e fortë dhe një rrjetë plastike për mbështetje, e cila nuk ndryshket dhe nuk dëmtohet nga lagështia.
Përgatitni shtretër të ngritur, idealisht 30 deri në 40 centimetra, sepse mundësojnë kullim më të mirë dhe ngrohje më të shpejtë të tokës. Përdorni substrat cilësor, të shkrifët dhe të pasur me lëndë ushqyese.
Mbi shtretër vendosni mbajtëse prej druri ose metali me një traversë të sipërme.
Konstruksioni duhet të jetë i lartë nga 1.8 deri në 2.2 metra, në mënyrë që bimët të kenë hapësirë të mjaftueshme për rritje dhe vjelja të jetë më e lehtë.
Në konstruksion fiksoni rrjetën plastike me hapje më të mëdha, më së miri nga 10 deri në 15 centimetra.
Rrjeta duhet të bjerë lehtë poshtë, në mënyrë që kërcejtë të kapen më lehtë pas saj.
Si t’i mbillni dhe mirëmbani trangujt
Fidanët vendosini përgjatë rrjetës, në largësi 30 deri në 40 centimetra nga njëri-tjetri. Kur bima të nisë të lëshojë fijet e para kapëse, mjafton t’i drejtoni me kujdes kah rrjeta, pa e përkulur fort kërcellin.
Pas kësaj, bimët vazhdojnë të rriten vetë dhe lidhja shtesë nuk është më e nevojshme.
Kur trangujt ta mbulojnë rrjetën, frutat varen nga të dyja anët dhe duken menjëherë, prandaj nuk ka më kërkim mes gjetheve të dendura, as thyerje të rastësishme të kërcejve gjatë vjeljes.
Përveçse kursen kohë, kjo mënyrë kultivimi përmirëson qarkullimin e ajrit dhe mund ta zvogëlojë mbajtjen e lagështisë në bimë.
Çfarë duhet të bëni pas sezonit
Në fund të sezonit, mjafton t’i prisni kërcejtë te rrënja dhe t’i lini disa ditë të thahen. Kërcejtë e thatë pastaj hiqen lehtë, rrjeta mbetet e pastër dhe konstruksioni është gati për sezonin e ardhshëm.
Pikërisht për shkak të mirëmbajtjes së thjeshtë, shumë kopshtarë thonë se, pasi e provojnë këtë sistem, nuk kthehen më te lidhja klasike e trangujve. /Telegrafi/
