
Një aeroplan i tipit Antonov An-124, një prej aeroplanëve më të mëdhenj në botë, pa duke mbërritur në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” më 6 maj.
Arsyeja e uljes së këtij aeroplani në Kosovë, i cili përdoret për transport të mallrave, përfshirë edhe ato ushtarake, nuk dihet ende.
Pas aludimeve se aeroplani është nisur nga një bazë ajrore në Gjermani, Radio Evropa e Lirë iu drejtua Ministrisë së Mbrojtjes të Gjermanisë, e cila nuk foli specifikisht për këtë fluturim në Prishtinë, duke thënë se “si çështje parimore dhe pavarësisht nga pyetja specifike, nuk komenton transportet ushtarake”, si dhe që përgjigja e saj nuk përbën as konfirmim e as mohim në lidhje me këtë fluturim.
Ajo, megjithatë, tha se forcat e armatosura gjermane përdorin shërbimin e transportit të kompanisë Antonov.
“…Kapacitetet e Antonov Logistics SALIS GmbH [përdoren] për dërgimin dhe furnizimin e forcave gjermane në kontekstin e mbrojtjes kombëtare dhe mbrojtjes së aleancës, menaxhimit të krizave ndërkombëtare dhe menaxhimit të rreziqeve dhe krizave kombëtare”.
Menaxhimi i krizave ndërkombëtare (ICM) është një detyrë thelbësore e Forcave të Armatosura Gjermane (Bundesëehr), që synon parandalimin e krizave ndërkombëtare, menaxhimin e konflikteve dhe minimizimin e pasojave të krizave.

Ndërkaq, autoritetet në Kosovë nuk folën për këtë rast.
Sipas të dhënave zyrtare, të publikuara nga vetë kompania ajrore, Antonov Airlines është një degë e Antonov Company, me seli në Kiev, Ukrainë.
Ndërmarrja shtetërore ukrainase operon një flotë të gjerë avionësh që transportojnë mallra, duke përfshirë pesë avionë të tipit An-124 Ruslan, që mund të bartin ngarkesa deri në 150 tonë.
Dy prej këtyre aeroplanëve përdoren zyrtarisht përmes kompanisë Antonov Logistic SALIS GmbH, për të ofruar shërbime transportuese për NATO-n dhe vendet e Bashkimit Evropian për dërgimin e “mallrave emergjente në situata të krizës”.
*Fotografitë: Arian Mavriqi
The post Aeroplani gjigant që erdhi në Prishtinë, flet Ministria e Mbrojtjes e Gjermanisë appeared first on Gazeta Express.
