E shtunë, 16 Maj 2026
Lajme

Alis ngjitet sonte në skenën gjigante të Eurovisionit, ja si mund të votoni nga Kosova

Image

Sonte mbahet finalja e madhe e Eurovision Song Contest, ku në fund të mbrëmjes do të shpallet fituesi i edicionit të sivjetmë.

Alis, që përfaqëson Shqipërinë, do të performojë i pesti në renditje, ndërsa numri 5 do të shërbejë edhe si kod për votim.

Votimi me SMS dhe me thirrje telefonike hapet gjatë spektaklit të sotëm derisa shqiptarët që jetojnë në diasporë do të kenë mundësinë të votojnë për të preferuarin e tyre, por kjo metodë votimi nuk vlen për banorët që jetojnë në Kosovë.

Megjithatë, ekziston një mënyrë për të votuar nga Kosova, sipas manualit për shtetet jo-pjesëmarrëse. Votimi mund të bëhet online përmes platformës ESC.vote, madje duke filluar që tani.

Alis u kualifikua në finalen e madhe pas një performance emocionuese në gjysmëfinalen e dytë, gjë që u reflektua edhe në votat e publikut dhe jurisë.

Kënga “Nan”, nga artisti shkodran, trajton mallin e një nëne për fëmijët në mërgim. Teksti i këngës ka një rëndësi të veçantë pasi është shkruar nga e dashura e tij, Desara Gjini.

Artisti do të ngjitet sonte në skenë për herë të dytë, kësaj radhe si finalist i edicionit të sivjetmë të Eurovisionit.

InfoShqip