E shtunë, 16 Maj 2026
Lajme

Apeli ua njohu të drejtën e pronësisë banorëve, por Komuna në vitin 2013 një pjesë të parcelës ia kishte dhënë një personi të tretë përmes këmbimit

Kaja 750x430 1

Në çdo pranverë, për më shumë se 3 dekada, banorët thonë t’i kenë parë këto lule të çelin nga afër, në tokën e tyre, të cilën thonë se nuk kanë mundur asnjëherë ta shfrytëzojnë.

Në këtë hapësirë, ku sot metrat katrorë peshojnë miliona, historia nis shumë më herët, në vitet e 70-ta, kur familjet thonë se blinin tokë me kursimet e jetës, me idenë e thjeshtë për të ndërtuar një shtëpi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Por në vitin 1985, gjithçka ndryshoi. Komuna e Prishtinës, si shumë toka të tjera, e eksproprijon edhe këtë tokë në Breg të Diellit. Eksproprijimi është proces ligjor përmes të cilit shteti ia merr një personi pronën private për interes publik, si për ndërtimin e rrugëve, shkollave apo projekteve tjera publike. Por eksproprijimi konsiderohet i përfunduar kur pronarit privat i kompensohet prona e marrë. Megjithatë, banorët në këtë rast thonë se nuk u kompensuan kurrë dhe se komuna nuk e realizoi asnjëherë planin për të cilin e kishte marrë.

Dekada kalojnë. Pronarët presin që prona prej rreth 64 ari t’u kalojë në emër të tyre dhe të jenë posedues faktik, derisa të njëjtit detyrohen t’i drejtohen edhe gjykatës. Toka mbetet aty, e paprekur, por e bllokuar.

Deri në vitin 2024, kur Gjykata e Apelit vendos: prona u takon banorëve. Një vendim i formës së prerë, që në teori duhet të mbyllte një histori të gjatë padrejtësie.

Por në praktikë asgjë nuk ndryshon.

Ndërkohë që banorët prisnin që kjo tokë t’u regjistrohej atyre, në prapaskenë zhvillohej një tjetër histori.

Në vitin 2013, Komuna merr vendim për këmbimin e një pjese të kësaj prone, që prek katër familje, me një pronë tjetër në Parkun e Gërmisë, që ishte në pronësi të qytetarit Mefail Cakolli.

Prona prej mbi 16 ari në Parkun Nacional të Gërmisë, park i mbrojtur që nga viti 1987, këmbehet me po aq ari tokë në Breg të Diellit. Ndërsa dokumentet që ka siguruar “Betimi për Drejtësi” tregojnë se toka në Gërmi ishte eksproprijuar dhe kompensuar më herët pronarit serb, para se të kalonte në pronësi të Cakollit.

Disa audio-incizime me zyrtarë të Komunës ngrisin dyshime për parregullsi në mënyrën se si është realizuar këmbimi i pronës dhe si po tentohet të mbyllet kjo çështje.

I gjithë procesi i këmbimit të pronave pretendohet se ka nisur me shumë parregullsi ligjore, ndërsa kontrata për këmbim është nënshkruar 11 vite më vonë, vetëm pak muaj para se Apeli t’ua njihte të drejtën banorëve.

Për më shumë ndiqeni hulumtimin “Skema kriminale: Si u bë kompensimi i dyfishtë i pronës në Gërmi me pronën e qytetarëve në Bregun e Diellit?”, i cili transmetohet në T7 dhe platformat online të “Betimi për Drejtësi”.

The post Apeli ua njohu të drejtën e pronësisë banorëve, por Komuna në vitin 2013 një pjesë të parcelës ia kishte dhënë një personi të tretë përmes këmbimit appeared first on Gazeta Express.

InfoShqip