Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla deklaroi në Kuvend se opozita ka tentuar të dëmtojnë imazhin e Shqipërisë në Bruksel përmes email-eve nga Tirana, që nuk u përfshinë në rezolutën e Parlamentit Europian.
Ai theksoi se rreth 80% e eurodeputetëve në Komisionin e Politikës së Jashtme mbështesin anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe objektivin për mbylljen e negociatave deri në vitin 2030.
Balla falënderoi grupet kryesore politike europiane për mbështetjen ndaj Shqipërisë dhe vlerësoi punën e raporterëve Andreas Schieder dhe Andrey Kovachev.
Në fund të fjalës së tij, Balla komentoi edhe debatin për artikullin e Edi Ramës në median gjermane, duke deklaruar se propozimet e kryeministrit shqiptar për reformimin e vendimmarrjes në Bashkimin Europian përputhen me planin e prezantuar nga ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul.
Fjala e plotë:
Ne e mbështesim aktin normativ i cili ka hyrë në fuqi dhe do ta votojmë. Duke vlerësuar të gjitha masat që ka marrë qeveria në përballjen me një krizë që është një krizë globale. Tani, për t’u sqaruar shqiptarët, lidhur me ato të pavërteta që sapo dëgjuat lidhur me projekt-rezolutën, e miratuar dy ditë më parë, në Komisionin e Politikës së Jashtme.
Në radhë të parë, falënderime për të gjithë eurodeputetët që e votuan, vihet të re që shumica në Komisionin e Politikës së Jashtme dhe siç do të duket edhe në seancën plenare të 17 apo 18 qershorit, shkon përtej tre grupimeve më të rëndësishme politike por dua ta filloj falënderimin me grupin më të madh politik, Partinë Popullore Europiane, Socialistët dhe Demokratët, grupin e dytë, Renew, por dhe grupimet e tjera politike të cilët e kanë mbështetur.
Rreth 80% e komisionit të jashtëm ishte pro-anëtarësimit të Shqipërisë, rreth 80% e komisionit të jashtëm mbështet ambicien e Shqipërisë sonë të përbashkët që t’i mbyllim negociatat brenda Krishtlindjeve të vitit të ardhshëm, dhe rreth 80% e Parlamentit Europian, pra, mbështet përmbylljen e kësaj aspirate historike deri në vitin 2030, kur gjithë së bashku të majtë e djathtë të shohim flamurin tonë kuq e zi të valvitet në oborrin e Parlamentit Europian, në oborrin e Këshillit apo të Komisionit Europian.
Tani të shkojmë tek të vërtetat e mëdha. U tha nga njëri që ishin 300 ndërhyrje, nuk janë ndërhyrje, ishin mbi 300 amendamente, pjesa më e madhe janë rrëzuar, të atyre amendamenteve, në dokumentin e kompromisit të punuar me shumë vlerësim nga raporteri zoti Schider dhe nga raporteri nga Partia Popullore një mik i veçantë si Andrej Kovaçev. Të dy kanë bërë një punë të shkëlqyer, Komisioni rrëzoi pjesën më të madhe të amendamenteve, e vërteta është që edhe pse ndonjë amendament ishte nisur me email nga Tirana, nuk e kaloi dot filtrin e komisionit të jashtëm dhe dokumenti sot është nga ana jonë i gjithëpranuar.
T’ju them të drejtën nëse doni të jem i sinqertë kam vetëm një koment tek pika 12 e kësaj projekt-rezolute, Shqipëria është një model i respektimit të të drejtave të minoriteteve. Ju them të drejtën për të qenë korrekt, nuk bie dakord, ja kam thënë të dyve edhe zotit Schider edhe zotit Kovaçev, pavarësisht se e dini ju fare mirë se kush e ka shkruar ose propozuar këtë amendament, por nuk dua ta bëj pjesë të debatit. Por mendoj që Shqipëria në Ballkan është vendi ku minoritetet respektohen më mirë se në çdo vend tjetër. Ka vende që nuk i njohin fare minoritetet në Ballkan, ndërkohë që ligjin që ka Shqipëria për minoritetet, që e kemi bërë së bashku në vitin 2017, unë dhe kolegu Spaho që s’është më këtu, është ligji më i mirë për minoritetet sot që Këshilli i Europës ua rekomandon. Megjithatë, shpresoj që deri në seancë plenare në 17-18 qershor kjo pika 12 të rishikohet. Sa i përket pjesës tjetër, që Komiteti për Politikën e Jashtme vlerëson mënyrën e përgjithshme të progresin e përshpejtuar të Shqipërisë, drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, duke hapur thonjza “evidentuar ritmin e lartë të hapjes së të gjitha grupkapitujve negociues brenda një periudhe relativisht të shkurtër, si dhe mbështetjen e qëndrueshme publike dhe politike për integrimin europian”. Në po të njëjtën kohë, në këtë projekt-rezolutë, nënvizohet se përshpejtimi i procesit duhet të shoqërohet edhe me progresin substancial të cilin duhet ta dëshmojmë edhe ne në këtë sallë, duke theksuar se procesi i përafrimit të legjislacionit duhet të shoqërohet edhe me zbatim efektiv. Dhe unë bie tërësisht dakord me këtë konstatim të projekt-rezolutës, që Kuvendi duhet të forcojë kapacitetet e veta, jo vetëm në pjesën e miratimit të ligjeve, por dhe në pjesën e monitorimit të ligjeve, zbatimit të tyre. Kështu që në këtë këndvështrim, ftesa për ndryshime në rregulloren e Kuvendit është gjithmonë e hapur, të ulemi ditën e hënë në Këshillin për Rregulloren për të parë se si duhet të rrisim monitorimin tonë post-legjislativ, për të shkuar tek rekomandimet.
Sa i përket demokracisë, zgjedhjeve dhe funksionimit parlamentar, besoj e keni lexuar, jam i sigurt që parafolësit s’e kanë lexuar, përgjithësisht thotë: kuadri zgjedhor i Shqipërisë konsiderohet i përshtatshëm për zhvillimin e zgjedhjeve konkurruese, dhe padyshim që duhet të adresojmë në kohë të gjitha ato rekomandime të OSBE ODHIR-it, edhe këtu ftesa përsëri e hapur edhe ftesa përsëri e hapur Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore është aty, disa propozime të mira janë bërë, njëri prej atyre propozimeve ose le të themi njëri prej atyre çështjeve që unë nuk rresht së përsërituri, është pjesa që lidhet me numërimin qoftë me depolitizimin e komisioneve, heqim dorë nga historia dhe te paktën partia juaj në zgjedhjet e fundit dëshmoi se është e pakënaqur nga numëruesit që çon vetë, dhe ankimoi numërimin e numëruesve te vet, hajde të biem dakord t’i depolitizojmë ose pse jo ndoshta të kthehemi dhe tek numërimi në qendrën e votimit, në mënyrë që rezultati të dalë sa më shpejt.
Se sa i përket këtyre pastaj pjesës së demokracisë,tani ju ankoheni që vidhni votat brenda partisë tuaj, imagjino, të ankoheni se po ju vjedhin votat të tjerët. Dhe gjithë edhe një çik respekt edhe për Barazinë Gjinore, një grua si Meremja e shkretë kërkoi të kandidonte dhe atë e përjashtuat, kjo çik e pandershme do të ishte i garë me Barazinë Gjinore, një kandidat një nga gjinia mashkullore dhe një kandidat nga gjinia femërore do t’i bënte mirë.
Brenda dy minutëshit… nuk e kisha me ty se ti s’kandidon, e kisha me Meremen. Tani meqenëse u prek këtu… dhe o zonja kryetare është njëri që paguhet për zhurmë, unë nuk e di çfarë është.
Tani dy gjëra që lidhen me shkrimin ose keni bërë një debat gati tre-katër javë, pesë javë tani për një shkrim të publikuar në Frankfurter Allgemeine Zeitunge. Tani përfitojmë nga rasti, e para, edhe si kryetar i shumicës edhe në pozicione tjera edhe si kryetar i delegacionit të Shqipërisë në Parlamentin Europian, ta përshëndes ministrin e jashtëm gjerman Johann Wadephul, në atë plan gjashtë pika që ka prezantuar dje. Mendoj që edhe kolegët e Partisë Demokratike duhet ta bëjnë të njëjtën gjë. Johann Wadephul është një njohës shumë i mirë edhe i politikës së jashtme, jo më kot është ministër i jashtëm i Republikës Federale Gjermane, por edhe si nënkryetar i grupit CDU-së për një kohë të gjatë, edhe në funksione të tjera, mendoj që të gjashtë pikat e tij meritojnë një mbështetje sepse në fakt kush i lexon gjashtë pikat e propozuara dje nga ministri i jashtëm gjerman janë fiks ato që ka propozuar ose le të themi ka mbështetur edhe kryeministri Rama në atë shkrim. Pra flitet për një vendimmarrje të ndryshuar në politikën e jashtme të Bashkimit Europian, flitet për një proces gradual te zgjerimit me shkallë që ishte dhe propozimi i kryeministrit Rama, flitet për një funksionim të BE-së në një union të zgjeruar, dhe zgjerimin e votimit me shumicë të kualifikuar në Bashkimin Europian se po i përmbledh… Fiks ministri i jashtëm gjerman dje në prezantimin e vet ka thënë të njëjtën gjë që ka thënë edhe kryeministri Rama ditë më parë në Frankfurta e Gjermanisë saj, dhe mendoj që të gjashtë pikat e ministrit qëndrojnë, dhe organet ose le të themi, nevoja e një reforme në sistemin vendimmarrës të Bashkimit Europian e ka dokumentin e prezantuar nga ministri Wadephul, një dokument udhërrëfyes shumë shumë shumë të mirë.
Sa i përket raportit të rezolutës së Parlamentit Europian, të presim miratimin në 17-18 qershor, ne jemi të gatshëm, ua thashë, vetëm për një pikë unë ende kam diçka që mendoj që deri në 17-18 qershor dy raporterët Schieder dhe Kovacev do duhet ta adresojnë. Faleminderit.
