
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi kryeministrin Edi Rama se nuk bëri publike diskutimet dhe qëndrimet në samitin për demokracinë që u zhvillua të shtunën në Spanjë. Sipas Berishës, kryeministri ka detyrim të sqarojë shqiptarët, duke vënë në dukje se ky ishte një samit anti-Trump.
“Çfarë emri mund t’i vini ju një kryeministri të tillë që fsheh pjesëmarrjen e tij në një samit ndërkombëtar dhe e shet se ishte për një vizitë zyrtare në Spanjë? A mund ta quani këtë një burrec, një langaraq, por mundet edhe një prostitutë amorale politike”
Në konferencën me gazetarët, Berisha sqaroi edhe aksionin politik të PD-së, duke vënë në dukje se Partia Demokratike është gati të bëjë gjithçka për të bashkuar të gjitha partitë opozitare në një koalicion. Berisha vuri në dukje se PD është gati të mbështesë propozimin e faktorëve të rinj politikë për të kërkuar një sistem zgjedhor proporcional.
“Kemi ofruar listën e hapur proporcionale të pastër kombëtare, me një prag të përcaktuar jo nga ne si PD, por nga një parti tjetër. Në sistemin zgjedhor, pra, me qëllimin më të mirë për një bashkim të opozitës, gjykoj se kemi bërë lëshimin maksimal dhe të drejtë. Pse? Sepse ky bashkim duhet të jetë mbi bazën e kontributeve reale të secilës parti. Dhe kjo shumë shpejt do të konkretizohet.”
Prej muajsh ka një përpjekje të Ermal Hasimjas dhe Forumit për Dialog Politik për të bashkuar partitë opozitare rreth një platforme të përbashkët, pjesë e të cilës është edhe sistemi zgjedhor. Deri më tani, kjo përpjekje nuk ka rezultuar e suksesshme.
/vizionplus.tv
