
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi sot, një takim me demokratët në Dibër, ku foli për zhvillimet politike në vend dhe rolin e opozitës.
Berisha u shpreh se Partia Demokratike, sipas tij, ka gjetur mbështetje në forumin ndërkombëtar të IDU-së në Zagreb, që ai e cilësoi si një nga forumet më të rëndësishme të partive të qendrës së djathtë në botë.
Gjatë fjalës së tij, ai kritikoi ashpër mediat, duke thënë se problemi i tij nuk lidhet me sulmet personale, por me mënyrën se si ato trajtojnë interesin publik.
“Ka një korruptim të gjuhës dhe kur korruptohet gjuha, është fundi i lirisë”, u shpreh ai, duke shtuar se qytetarëve nuk po u thuhet e vërteta për çmimet dhe situatën ekonomike.
Berisha foli edhe për fermerët dhe politikat e subvencioneve, duke akuzuar qeverinë për mungesë vëmendjeje ndaj tyre.
Në pjesën tjetër të fjalës, ai iu drejtua edhe socialistëve, duke u bërë thirrje të mos harrojnë, sipas tij, identitetin kombëtar përpara bindjeve politike.
“Unë u bëj thirrje socialistëve të Dibrës, mos harrojnë se para se të jenë socialistë, janë shqiptarë. Mos harrojnë se të parët e tyre s’kanë qenë socialistë, kanë qenë atdhetarë. Dhe çdo shqiptari i bëj thirrje, të ndalet, t’i thotë vetes, njeriu i qytetëruar është patriot. Njeriu i qytetëruar do vendin e tij, do kombin e tij, mbron interesat e vendit të tij, pavarësisht nga bindjet. Çfarë bën ky? Shkelmon kudo interesat shqiptare dhe tani në fund e thirri ai. Tani tha firmose pak këtë letrën. Dhe ky firmosi letrën. Që mos ta kërkoni, këto sepse ai sigurisht s’mund të bëjë një hap pa njohur Kosovën. Atëherë, çfarë do bëjmë ne?”, deklaroi ai.
Berisha akuzoi gjithashtu qeverinë për qëndrimet e saj në proceset integruese dhe për marrëdhëniet rajonale, duke i cilësuar si të dëmshme për interesat e Shqipërisë.
“Ne nuk do ndalemi deri në fitoren tonë”, deklaroi ai përpara mbështetësve në Dibër.
