
Trajneri i Brazilit, Carlo Ancelotti, është i gatshëm të lërë jashtë një emër “të paimagjinueshëm” nga lista e tij për Kupën e Botës 2026, në mënyrë që të përfshijë Neymarin në skuadër.
Neymar ka kaluar dy sezone të vështira me lëndime te Al Hilal në Saudi Pro League pas largimit nga Paris Saint-Germain, dhe shumëkush mendonte se kjo do t’i jepte fund karrierës së tij ndërkombëtare.
Megjithatë, ai u rikthye te klubi i fëmijërisë, Santos, vitin e kaluar dhe duket se e ka rizbuluar dashurinë për futbollin.
34-vjeçari ka shënuar 17 gola dhe ka ndihmuar Santos të shmangë rënien nga kategoria, duke shtuar edhe 8 asistime.
Brazili ka një repart sulmues shumë të fortë, por kjo nuk i ka ndalur tifozët të shpresojnë se Neymar mund të bëjë “kërcimin e fundit” në skenën më të madhe të futbollit botëror.
Ai nuk ka luajtur për kombëtaren që nga viti 2023, ndërsa një gjeneratë e re sulmuesish ka marrë rolin kryesor në përpjekjen për t’i sjellë Brazilit Kupën e parë të Botës që nga viti 2002.
Më herët, Ancelotti kishte deklaruar se shanset e Neymarit për t’u përfshirë në skuadër ishin të vogla, por një raport i ri i “ESPN” sugjeron se situata ka ndryshuar dhe se një emër i madh mund të mbetet jashtë.
Sipas raportit, Neymar ka prishur planet e disa lojtarëve që konsideroheshin “gati” për skuadrën.
Emri më i madh në këtë kategori është sulmuesi i Chelseat, João Pedro, i cili ka pasur një sezon të shkëlqyer debutues me 20 gola në të gjitha garat, përfshirë 15 në Premierligë.
Tani ekziston një mundësi reale që Neymar të zgjidhet përpara tij kur lista të publikohet të hënën.
Në listën e pritshme të Brazilit përfshihen edhe Raphinha, Vinícius Júnior, Matheus Cunha dhe Gabriel Martinelli. Ndërkohë, Endrick, Igor Thiago dhe Rayan janë gjithashtu kandidatë, ndërsa Estêvão është jashtë për shkak të një dëmtimi në kofshë.
Ancelotti është i vetëdijshëm për interesin e madh publik rreth Neymarit, i cili mbetet golashënuesi më i mirë në historinë e Brazilit me 79 gola në 128 ndeshje.
Megjithatë, trajneri italian ka dyshime nëse trupi i tij mund të përballojë ritmin e një turneu kaq të ngjeshur.
“Është një talent i madh. Pyetja nuk është nëse ai di të kontrollojë apo pasojë topin,” tha Ancelotti.
“Pyetja është nëse gjendja e tij fizike është e mjaftueshme”, shtoi ai.
Brazili është në Grupin C të Kupës së Botës dhe do të nisë turneun kundër Marokut më 13 qershor, para se të përballet me Haitin më 20 qershor dhe Skocinë më 24 qershor./GazetaExpress/
The post Brazili është i gatshëm ta lë në shtëpi një “emër të madh”, për t’i bërë vend Neymarit në Botëror appeared first on Gazeta Express.
