E mërkurë, 06 Maj 2026
Lajme

Dënohet me vdekje korrieri që rrëmbeu dhe vrau 7-vjeçaren në SHBA

M 711x400

Tanner Horner, ish-punonjës i FedEx, është dënuar me vdekje për vrasjen e 7-vjeçares Athena Strand, një ngjarje që tronditi Texas. Vendimi u mor nga juria pas vetëm disa orësh diskutimi, duke e konsideruar atë si një rrezik të vazhdueshëm për shoqërinë dhe duke zgjedhur dënimin maksimal.

Gjyqi u fokusua vetëm te masa e dënimit, pasi Horner kishte pranuar fajësinë që në ditën e parë të procesit. Prokurori James Stainton deklaroi se ky rast tregon pse dënimi me vdekje ekziston, duke e cilësuar autorin si simbol të së keqes që frikëson komunitetin.

Nga ana tjetër, mbrojtja, përfaqësuar nga avokatja Susan Anderson, argumentoi se autizmi i Hornerit ndikon në përgjegjësinë e tij morale dhe kërkoi mëshirë nga juria. Ajo përpiqej të paraqiste një tablo të një jete të vështirë dhe problemeve të shëndetit mendor.

Gjatë gjyqit dolën edhe dëshmi tronditëse, përfshirë atë të një kushëriri të Hornerit, i cili deklaroi se ishte abuzuar seksualisht prej tij kur ishte fëmijë. Dëshmia u paraqit si provë shtesë nga prokuroria për të forcuar profilin e rrezikshmërisë së të akuzuarit.

Ngjarja e rëndë ndodhi në nëntor 2022, kur Horner, gjatë punës si shpërndarës, rrëmbeu vogëlushen Athena Strand pranë shtëpisë së saj. Sipas hetimeve, ai e vrau duke e goditur dhe dhunuar, përpara se të hidhte trupin në një përrua. Ai u arrestua dy ditë më vonë dhe pranoi krimin, megjithëse dha versione kontradiktore për motivet.

Autoritetet theksuan se provat, përfshirë pamjet video dhe dëshmitë, ishin vendimtare në zbardhjen e plotë të ngjarjes. Pas një procesi të gjatë me dëshmi nga ekspertë dhe familjarë, juria vendosi përfundimisht dënimin me vdekje, duke i dhënë fund një prej çështjeve më tronditëse kriminale në SHBA.

/vizionplus.tv

InfoShqip