
Një shofer furgoni ka rënë në prangat e Policisë në Elbasan, pasi drejtonte automjetin në gjendje të dehur.
Përmes një njoftimi, Policia bën të ditur se personi i arrestuar është Sazan Gjolena, i cili me forgonin e tij tip ‘Benz Sprinter’ kryente transportin e nxënësve të gjimnazit Sami Frashëri.
Policia njofton po ashtu se ndalimi i Sazan Gjolenës u bë pas një telefonate të mbërritur në Komisariat nga një qytetar, i cili denoncoi rastin.
Pas testit të alkoolit, rezultoi se Gjolena kishte konsumuar alkool. Dy teste rezultuan në masën 0.68 mg/l dhe 0.67 mg/l.
Pas shoqërimit në komisariat të Sazan Gjolenës, Policia mori masa për të bërë të mundur transportin e fëmijëve me një mjet tjetër të transportit publik të pasagjerëve.
“Sot, më datë 05.05.2026, në bazë të telefonatës së dhënë nga qytetari në sallën operative Cërrik, Posta Belsh, se shtetasi Sazan Gjolena, me mjetin tip “Benz Sprinter” me targa AA198FR, i cili kryen transportin e pasagjerëve dhe të nxënësve të Gjimnazit “Sami Frashëri”, drejton mjetin nën ndikimin e alkoolit, menjëherë e vlerësuam telefonatën e qytetarit dhe morëm masat e duhura, së bashku me patrullën e Postës Belsh të Komisariatit Cërrik, ku u bë e mundur konstatimi dhe ndalimi i mjetit tip “Benz Sprinter” me targa AA198FR, me drejtues shtetasin Sazan Jashar Gjolena, i datëlindjes 20.07.1972, banues në Gjolene, Bashkia Belsh, me drejtim lëvizjeje Belsh–Gjolene.
Në mjet ndodheshin 13 pasagjerë, nxënës të gjimnazit. Pas verifikimit të dokumentacionit, i kryem testin e alkoolit me dy prova: prova e parë rezultoi në masën 0.68 mg/l dhe prova e dytë rezultoi në masën 0.67 mg/l.
Menjëherë bëmë shoqërimin e drejtuesit të mjetit, i cili rezultoi në gjendje të dehur, për në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, për veprime të mëtejshme.
Morëm masa për të bërë të mundur transportin e fëmijëve me një mjet tjetër të transportit publik të pasagjerëve“, njofton policia.
